Ministria e Brendshme ka hartuar disa ndryshime në ligjin për shtetësinë, që i lejon të huajt të pajisen me shtetësinë shqiptare. Një prej propozimeve që janë dërguar për konsultim publik, ka të bëjë me fëmijët e porsalindur. Kjo mund të arrihet vetëm në rastin kur dy prindërit e huaj, japin pëlqimin që fëmija të pajiset me shtetësinë shqiptare.

Kjo praktikë shtohet sërish, pasi ka qenë parashikuar edhe në ligjin për shtetësinë shqiptare të vitit 1998, që më pas është shfuqizuar.

Një tjetër ndryshim është dhe heqja e kriterit kufizues të moshës 18-vjeç për përfitimin e shtetësisë shqiptare. Kjo do të bëhet e mundur kur i riu nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të vendit, por edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Shtetësia e personave që nuk kanë mbushur moshën 18-vjeç mund të fitohet vetëm me pëlqimin e të dy prindërve apo kujdestarit ligjor.

Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, këto ndryshime ligjore kanë për qëllim që Shqipëria të përthithi sa më shumë talente nga fusha të ndryshme që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç. Një ndër propozuesit kryesor të ndryshimeve ligjore është Federata Shqiptare e Futbollit. FSHF është e mendimit se vendosja e kriterit “që të ketë mbushur moshën 18 vjeç”, sjell një kufizim të madh në drejtimin e kërkimit, zbulimit të talenteve të reja (jo me shtetësi shqiptare) për dhënien e kontributit të tyre në skuadrat e kombëtares shqiptare.Miratimi i këtij projektligji nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit, përkundrazi do të ketë efekte financiare pozitive nga të ardhurat që do të mblidhen nga tarifa që aplikohet për shtetësinë.

Projektligji për shtetësinë pritet të marrë kohë pasi do të diskutohet edhe nga deputetët në komisionet parlamentare deri në finalizimin e plotë të tij në seancë plenare.