Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët. Në mesnatë, ata kanë mbushur kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit. Ceremonia ka zgjatur deri pas mesnatës dhe pas saj, vezët e Pashkës të lyera me të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën. Një mesazh për këtë festë erdhi nga Presidenti Bajram Begaj i cili uroi besimtarët dhe shkroi se sjell ringjalljen e jetës dhe shënon një nisje të re.

Në Tiranë, mesha u kremtua në Katedralen Ngjalla e Krishtit, nën drejtimin e Kryeposhkepit Anastas. Në Berat, ceremonia e Pashkës u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe u ndoq nga qindra besimtar. Ata morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinjtë dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe shpresës për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”,ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Edhe në Vlorë, mesha u mbajt në kishën Shën Theodhori. Besimtarët morën mesazhin se në këtë ditë të madhe tregohet fitorja e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirës dhe e dashurisë mbi urrejtjen. Në Sarandë, me qirinjtë e lutjes në duar, besimtarët kanë kremtuar Pashkët. Në Lushnje, mesha tradicionale e Pashkëve u drejtua nga At Arkipi dhe besimtarët morën dritën e u lutën për paqe e begati në këtë ditë të shënuar.