Agjendën e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, në prag të nisjes së fushatës elektorale, që nuk parashikon një takim me drejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Astrit Patozi e sheh si një goditje për Sali Berishën dhe Ilir Metën, si të padëshiruar
Sulmet e Berishës ndaj ambasadores së SHBA, ish-deputeti demokrat i sheh si një taktikë për të përgatitur një alibi për humbjen e zgjedhjeve, ndërkohë që ftoi dy palët në PD që të bëjnë një armëpushim mes tyre.
“Vetë agjenda e takimeve të Escobar është një goditje për Foltoren dhe Ilir Metën, por tek e fundit ata e kanë marrë parasysh këtë gjë, unë nuk u vë faj, por nuk kanë rrugë tjetër. Ajo që më bën përshtypje është përse e gërvishtin koren, mund ta lenë të qetë. Po kjo ka një shpjegim. Në vend që të sulmojnë amerikanët, siç presim ne, sulmon Foltorja Amerikën. Kjo është një taktikë për të përligjur rezultatin e 15 majit që mesa duke nuk do të jetë pozitiv.
Po ndërtojnë alibi për të thënë që kemi pasur kundër Flotën e 7 Amerikane, McGonigal, Alibashën, Ramën. Mendoj se opozita kështu siç është në mos fitoftë, duhet të marrë një rezultat domethënëse. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë është të lerë shpenzimin e energjive për luftën e brenda llojit”, tha Patozi.