Më 14 Maj votimi elektronik do të aplikohet në 3 bashki në vend, në Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka parë sot nga afër procesin e testimit të votimit elektronik në qytetin e Elbasanit, nga ku ka evidentuar se është 100% i sigurt dhe garanton fshehtësinë e votës.

Ky sistem nuk mund të preket prej sulmeve kibernetike për shkak se nuk do të bëhet lidhja me internetin. Celibashi u shpreh se sistemi e ndalon votimin familjar dhe nëse do jetë e nevojshme, vetëm përfaqësuesit teknik mund të ofrohen për ndihmë por pa identifikuar zgjedhjen e votuesit. Celibashi theksoi se pajisja është e thjeshtë në përdorim dhe askush nuk do të ketë mundësinë që të verifikojë votën e qytetarit.

“Nga pikëpamja e sigurisë dhe fshehtësisë së votës, pajisja ka siguri 100%. Nuk ka asnjë lloj mënyre për të identifikuar votën e votuesve. Garantohet fshehtësia ndaj do t’i ftoja votuesit e këtyre 3 bashkive që pa hezitim të votojnë për kandidatët, pa qenë në dyshim që vota e tyre do të jetë publike. Pajisja dhe sistemi i ofron të gjitha, as sistemi i zgjedhjeve, as kompania s’ka mundësi për të verifikuar mbi votën e qytetarëve.

Pajisja është e thjeshtë në votim edhe për moshën e thyer. Sistemi e lehtëson procesin e votimit dhe me siguri qytetarët që do të marrin pjesë në votime në këto 3 bashki do e shohin që është e thjeshtë.

Nëse ka një gjë që sistemi e ndalon është votimi familjar se mund të paraqitet vetëm 1 votues që nëse do të duhet, me këshillimin e një përfaqësuesi teknik do të ndihmohet në procesin e votimit por pa u identifikuar zgjedhja. Kemi sjellë në Elbasan në tre pika, në bashkinë e Kamzës në 2 ambiente dhe në bashkinë e Vorës në 1 ambient për t’u familjarizuar. Këto do të qëndrojnë deri para zgjedhjeve ndaj i nxis partitë politike dhe mediat që të nxisin qytetarët të testojnë pajisjen”, tha Celibashi.

Celibashi u shpreh se presin që të rezultojë i suksesshëm pasi siguria e fshehtësisë së votës është më e madhe përmes kësaj teknologjie sesa kur votohet përmes letrës. Në përfundim të procesit të votimit, për 10 minuta sistemi arrin të përpunojë rezultatin përfundimtar që do të dalë i printuar dhe i vulosur me kode sigurie. Për garën elektorale, KQZ ka vendosur që të mos jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik për garën elektorale të 14 majit por edhe në bashkinë e Elbasanit dhe të Kamzës.

Si do të kryhet votimi elektronik?

Qytetarët do kryejnë procedurat e identifikimit dhe të bëjnë bëjnë zgjedhjen e tyre në sistem për zgjedhjen e kryetarëve të Bashkive. Në rast se duan ta ndryshojnë, mund ta heqin dhe të zgjedhin emrin e një kandidati tjetër. Më pas shfaqet fleta e këshilltarëve bashkiakë. Kur të përfundojë procedura e votimit, qytetari mund të presë që të printohet letra për ta parë vizualisht. Në fund të të gjithë procesit të votimit, sistemi do arrijë që të nxjerrë rezultatin final brenda pak minutash.