Në 8 vitet e fundit, Tirana ka pësuar një transformim rrënjësor përsa i përket institucioneve të arsimit publik. Infrastruktura e shkollave, ku mëson gjenerata e re e qytetarëve të Tiranës ka ndryshuar si asnjëherë tjetër në historinë e qytetit tonë.
Në këto vite janë ndërtuar 40 shkolla të reja, të cilat mbajnë firmën e arkitektëve më në zë të botës, si Stefano Boeri. Ndërkohë që, 36 shkolla ekzistuese i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë.
Shkollat e reja, plot dritë, hapësirë dhe standarde evropiane janë ndërtuar me klasa të mëdha, salla të mirëpajisura bibliotekash, palestra e fusha sportive, laboratorë informatike, fizike, biologjie, pa patur asnjë dallim me shkollat dinjitoze nëpër Evropë. Njëra prej tyre është gjimnazi “Sami Frashëri”, një nga shkollat më të mira në Ballkan.
Sa i përket çerdheve e kopshteve, edhe këto institucione parashkollore në Tiranë janë tjetërsuar, duke ofruar kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurt për të gjithë fëmijët që i frekuentojnë ato. Gjatë viteve të fundit janë ndërtuar 20 kopshte të reja dhe rehabilituar 34 kopshte ekzistuese. Gjithashtu, janë ndërtuar 9 çerdhe të reja dhe janë rehabilituar 22 çerdhe ekzistuese.
Sot shkollat janë Qendra Komunitare, ku koha e qëndrimit mbi libra pasohet me aktivitete sportive, kulturore, shoqërore. Sot në Tiranë 25 shkolla funksionojnë edhe si qendra komunitare pas orarit mësimor.
Tirana sot ofron të tjera hapësira edukimi. Si për shembull, bibliotekat nëpër lagje apo Kopshti i ri Zoologjik, ku fëmijët mund të eksplorojnë botën e kafshëve të egra, të argëtohen dhe mësojnë njëkohësisht.
Shumë shpejt, Piramida e Tiranës do të marrë formën e saj përfundimtare, për t’u kthyer në shtëpinë e re të Qendrës TUMO, e projektuar për të qenë qendra më e madhe në Ballkan për teknologji dhe inovacion, ku do të mësojnë rreth 5 mijë të rinj e të reja.