Nga Sokol Balla/
Për shumë arsye, vizita ime e tretë në Poloni në 15 vjet, mund të dukej e çuditshme. Motivet kanë qënë të ndryshme. Në janar 2008 mes një ftohti polar, me 6 orë me tren nga Berlini për në Varshavë, ishin ditë për t’u harruar. Herën e dytë, në qershor 2016, në Samitin e NATO-s, për punë, e menjëherë më pas fluturim në Paris për finalen e Europianit. Hera e tretë, si gjithmonë në pelegrinazh për kombëtaren.
Kaq? Jo tamam. Varshava është Nocioni me i afërt që kam pasur për Perëndimin. Një arsye është rrethanore. Shtëpia ime në qendër të Tiranës, ishte vetëm 30 metra larg Ambasadës së Polonisë. Së paku katër herë në ditë kaloja pranë fiat-ëve polakë me targa CD, në rrugicën e shkurtër që lidhte Mine Pezën me Rrugën e Durrësit, krahu i majtë i së cilës, zihej nga vila hijerëndë dhe e mbuluar me pemë e mure të lartë e ambasadës poloneze. (Nuk di përse, po në shqipen zyrtare nuk është “polake”, por poloneze. Këtë e kuptova kur pashë në Rrugën e Dibrës, diku mbi prokurorinë, tabelën e një tjetër selie diplomatike të Varshavës, të quajtur “Legata Tregtare Poloneze”).
Nuk e di hiç dhe kurrë nuk e kam kuptuar përse në Tiranë ndodheshin dy seli, Ambasada Polake dhe Konsullata Poloneze, siç nuk e kuptoja kurrë përse ishte një prani aq e fortë e Polonisë në Shqipëri. Për këtë nuk më ndihmonin as pyetjet e shumta që i bëja burrit të familjares sime, i cili kishte punuar tetë vjet në Ambasadën e Shqipërisë në Varshavë, si konsull tregtar dhe sekretar i tretë i ambasadës. Ai ishte rrethana e dytë që më lidhte me Poloninë. Një burrë i mirë e i urtë, por i ngrysur dhe hijerëndë, gati enigmatik dhe sekretiv, sikur mbi shpatullat e tij rëndonin gjithë hallet e Traktatit të Varshavës, e vetmja gjë që ai më pati pohuar, ishte: “Thuhet poloneze, jo polake”. Fliste një polonishte të shkëlqyer dhe nuk di përse dikush në Shqipëri, duhet të fliste atë gjuhë. Për të realizuar pak më vonë se ishte një grup i tërë “diplomatësh” shqiptarë që e fliste atë. As familjarja ime nuk më ndihmonte. Ajo kishte kaluar tetë vitet më të bukura të jetës së saj në Poloni, një vend po, i Lindjes, ku jeta nuk ishte dhe aq e keqe, së paku në vitet 70. E prapë gjithçka ishte sekretive. Një nga djemtë e saj që jetoi tek ne disa vite (i vogli tjetër i lindi në Varshavë në 1978), nuk tregonte asgjë, sa herë ikte e rrinte për pushime tre muaj në verë në Varshavë. Ikte ezmer e i dobët e kthehej buçko e i bardhë. “Eshtë nga mungesa e diellit”, thoshte i ndjeri babai im. Por pesha e rritur nuk shpjegohej me mungesën e diellit. Shpjegohej me stomakun e mbushur mirë. Veshjet e bukura, tregonin se komunizmi polak ishte disi me tolerant sesa i joni dhe se Mapo-t aty, nuk shisnin vetem llastiqe brekësh, shapka llastiku dhe topa llastiku. Me një fjalë, shisnin dhe gjëra që nuk ishin llastik. Meqë ishim moshatarë, përfitoja dhe unë ndonjë dhuratë. Jo llastiku. Një herë në vit, çdo shtator. Sa herë ai mbërrinte dhe e prisja në Rinas kur vinte me Malev, ose LOT. Nuk di pse gjithë ato vite, LOT kishte linjë të rregullt me Tiranën. Kishte dhe Air France. Por LOT më dukej sikur sillte në Tiranë vetëm kushëririn tim.
Por kur familjarët e mi u kthyen në 1983, Polonia ishte bërë lajm më i madh sesa një rrethanë. Në 1978 ishte zgjedhur papë, një polak, i cili jo thjesht se ngjante me gjyshin tim, do shndërrohej në një prej figurave më të dashura të miat. Në 1981 atë tentuan ta vrasin sovjetikët, përmes parave të paguara nga shërbimi bullgar, ndaj një organizate terroriste turke të quajtur “Ujqit Gri”. Arsyeja ishte e thjeshtë. Ky Papë i parë i zgjedhur nga një vend I perandorise sovjetike, u shndërrua shpejt në emisarin kryesor të shembjes së komunizmit. Duke filluar nga vendi I tij I lindjes. Vizita e Papa Gjonit Palit II në Poloni, ndodhi kur vendi po vendosej nën darën ushtarake, të nxitur nga Moska, në përpjekje për të kontrolluar protestat që kishin lindur në një port në veri të vendit, në një mol ndërtimi anijesh të quajtur Lenin, në portin e Gdansk. E dija që në dy vitet e fundit, burri I familjares sime, që punonte ne Varshavë, kishte shkuar shpesh ne Gdansk. Detaji që kishte “shpëtuar” nga censura, ishte një termometër muri per matje ambientale. Kishte të shkruar Gdansk mbi krye dhe familjarja e hoqi nga muri dhe ma dha mua, gjatë një vizite në shtëpinë e tyre në Tiranë. E pashë që burri i saj u ngrys, por akti ishte pa kthim pas. Si duket i afërmi im diplomat, nuk shkonte kot në Gdansk. Ok, aty ishte porti më i madh i mallrave në detin e Baltikut për gjithë lindjen, por ishte dhe qyteti më i afërt polak me Rusinë. Kaliningradi, ose pjesa europiane e Rusisë është pak më shumë se një orë larg me makinë. Shqipëria nuk kishte marëdhënie me Moskën, por jam i sigurt që prania e madhe “poloneze” në Shqipëri, lidhej pikërisht me këtë: ishte Varshava ajo që mbronte interesat ruse në Shqipëri, ose ishte kanali i komunikimit që ne kishim me Moskën. Pjesa tjetër sllave e Perandorisë Sovietike, ishte më shumë armiqësore me ne. Polonia ishte një vend atipik. Katolik, por me lidershipin komunist më vasal e besnik ndaj Moskës. Një foto e viteve 70, kur sekretari i parë i partisë punëtore polake Geremek, puthej në buzë me liderin suprem sovietik Brezhnjev, u kthye në meme grafitesh në gjithë botën, veçanërisht përgjatë pjesës perëndimore të Murit të Berlinit. Gjithsesi Polonia shihte me përbuzje vendet e tjera, që ishin më të vogla dhe më të varfëra se ajo.
Gdansk, ishte me siguri pika kryesore e furnizimit të anijeve shqiptare me mallra kleringu (clearing, ishte marreveshja tregtare mes vendeve komuniste, ku mallrat nuk bliheshin, por shkëmbeheshin. Pra ne merrnim sapunët dhe dërgonim konjak Skënderbeu. Merrnim ilaçe dhe çonim sallam turist). Por portet, kanë gjithmonë edhe sharmin dekadent të qyteteve që gëlonin nga spiunët. Këtë ndjeja sa herë shkoja në Durrës në qytet dhe ecja afër Vollgës (për dreq një emër rus, që kurrë nuk ju hoq dot hotelit, edhe pas ikjes së sovietikëve), apo për shembull kur vizitoj Algjerin apo Singaporin. Ndaj dhe vizita ime e tretë në Poloni, në mars 2023, mori një kuptim të mirëfilltë, vetëm kur vizitova Gdanskun. Atë të termometrit të temperaturës, të portit, dhe të protestës. Lidhen të treja. Pasi këtu, në këtë qytet të ftohtë (sot edhe cool) lindi dhe revolucioni antikomunist që shkërmoqi perandorinë sovietike. Ndaj të gjithë shkonin në Gdansk. Ishte termometri i kohës. Ndoshta prandaj shkova dhe unë. Preteksti i një ndeshjeje futbolli, nostalgjia për të shkuarën të fiksuar në ekranin bardhezi të televizorit tim Adriatik dhe sigurisht interesi për të parë vetë, ndryshimin që erdhi prej këtij qyteti të ftohtë polak. Nga një protestë për çmimet e ushqimeve, në negociatën e parë mes një shteti komunist dhe një rebelimi punëtor. Që solli kryeministrin të ulej përballë ca sindikalistëve të improvizuar në 14 gusht 1980 në një ndërtesë afër Molit Lenin. Më pas të ecte mes tyre, i përcjellë me heshtje armiqësore. Ishte kryeministri i fundit komunist i Polonisë, por pas shumë vitesh do ta krahasonte ecjen e tij mes grevistëve, me “ecjen e Krishtit me kryq në kurriz në Via Dolorosa” në Jeruzalem. Ishte fillimi i fundit të Komunizmit. Brenda pak vitesh në sindikatën e re të krijuar nga Lech Valessa, aderuan 10 milionë vetë. Praktikisht regjistruan votën e tyre 10 milion polakë. Regjimi ushtarak I Jaruzelskit, që zëvendësoi qeverinë që ju dorëzua sindikatës Solidarnosc, nuk duroi dot me shumë se 3 vjet. Valessa, ndërkohë në arrest shtëpie, kishte marrë çmimin Nobel të Paqes, por në 1983 ai dhe shumë të tjerë u liruan. Mes tyre dhe Lech Kaczynski. Shumë vite më vonë, Partia e tij e Drejtësisë, do të përballej sërish me Moskën. Por kjo përleshje e dytë do t’I kushtonte jetën. Avioni tij si president I Polonisë, u rrëzua në Smolensk, Rusi ne 10 prill 2010. Sot tabela me emrat e 96 të vdekurve në avion, qëndron në hyrje të Presidencës polake në Varshavë. Një pllakë që nuk kujton vetëm ngjarjen, por edhe kujton sesa e fortë është përplasja në atë që është sot, kufiri i fundëm i Perëndimit me Rusinë. Polonia, dikur mbajtëse e kurorës së Paktit te Varshavës, falë protestës së Gdanskut, u bë vendi i parë që u shkëput nga perandoria sovietike, duke mbajtur zgjedhjet e para pluraliste në 1987 dhe zgjedhur kryeministrin e parë jokomunist të lindjes, Tadeusz Mazowiecki. Dy vjet më vonë, me shumicën absolute të votave në parlament dhe senat, Lech Valessa, elektriçisti që ndezi shkëndijën e revolucionit paqësor antikomunist, u zgjodh president I Polonisë. Atë që nuk e bëri dot Lufta e Ftohtë dhe gara e armatimeve bërthamore, e bënë disa mijëra grevistë në Gdansk. Revolucioni komunist nisi në 1917, në ujërat e Baltikut, me anijen Aurora dhe nën drejtimin e Leninit. Përfundoi në ujërat e Baltikut, në molin, ironikisht me të njejtin emër: Lenin.
Sot ai mol nuk është më funksional. Ndërtesa ku u mbajtën negociatat, është kthyer në Qendrën Kulturore Europiane të Solidaritetit. Ose të Solidarnosc. Vetë sindikata ekziston akoma. Ose më saktë pronat e saj: një ndërtesë 6 katëshe jo larg molit Lenin. Solidarnos, sot është thjesht një akt formal thuajse inekzistent. Lech Valessa është 79 vjeç dhe nuk i shpëtoi dot tranzicionit e as akuzave.