Kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj ka ironizuar sërish stadiumin bosh, teksa fliste Berisha në çeljen e fushatës së opozitës. Në një intervistë për Report tv, Veliaj tha se Berisha është jashtë realitetit.
“Normal që është jashtë realitetit se mjafton të shohësh Saliun se si u fliste karrigeve të kuqe bosh; u fliste me pathos se mendonte se ishin me mijëra njerëz aty. Ti aty kupton se është një çështje që duhet adresuar nga mjekët dhe jo nga politika. Ai ka nevojë për ndihmë psikologjike. Kemi shumë psikologë që mund të ndihmojnë në këtë rast”, tha Veliaj.
Ai i cilësoi qesharake edhe deklaratat e Berishës për lidhje me iranianët. Kreu i Bashkisë u shpreh se Saliu ka probleme me djalin dhe Gërdecin ku u vranë njerëz. “Sot ti dëgjon Saliun që kalon me orë të tëra dhe flet jo për iranianët, jo po Sulejmani, jo po këto i njeh Lali, muhabete kot! Dhe zbulohet që keta ishin disa njerëz që shkonin dhe blinin mish. Po të shikosh, tani nuk dalin e flasin më se kanë frikë se mos ju dalin të tyret këta. Njerëz që unë as që i kisha takuar ndonjëherë. Ti aty kupton që përroi psiqik i ndërgjegjes nuk ka pse na merr edhe ne përpara, përroi psiqik le të marrë atë. Unë e kuptoj, ka probleme me djalin, ka probleme me Gërdecin, ka probleme që ka vrarë njerëz, ato janë halle, mos i rëntë njeriu! Por i zgjodhën vetë ato vendime”, tha Veliaj.