Nga Zall-Herri, ku takoi dhe bisedoi me banorë të zonës dhe mbolli disa pemë me ta, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj tha se kundërshtarët politikë kanë vetëm hallet e tyre dhe njerëzit i duan vetëm për vota.

“Ku ishin gjithë këto kohë këta që kemi përballë? Kush paguan 100 mijë euro për shfaqje në stadium, nuk është se nuk i ka mundësitë ta ndihmojë Zall-Herrin me një shtëpi apo me pako ushqimore. Ata që paguajnë nga 100 e ca mijë euro me non-grata, nuk është se nuk i kanë mundësitë ta ofrojnë një pjatë supë, ose ta shërbejnë një drekë. Nuk është se nuk dinë, ose nuk kanë, por nuk duan. I duan njerëzit vetëm për vota, i duan vetëm njëherë në katër vjet. Katër vjet ishin në Gjirin e Lalzit dhe tani kthehen mbas 4 vjetësh dhe duan vota. Por votat i kemi për ata që na shërbejnë, për ata që kapin telefonin, për ata që bëjnë rrugët, për ata që bëjnë shkollat, për ata që e çojnë infrastrukturën e ujit fshat më fshat, për ata që jetojnë me ne, shërbejnë me ne, dhe mbajnë fjalën. Dua që secili prej jush të japë një dorë që të dalim fitimtarë, ballëlartë, dhe t’i shërbejmë për 4 vite e ardhshme Zall-Herrit edhe gjithë Tiranës sonë të madhe”, tha Veliaj.

Koalicioni i çiftit Berisha-Meta, sipas Veliajt, as nuk del më në Tiranë, nuk bëjnë as mitingje, sepse Tirana u ka thënë: “Ik non-grata!”.

“E keni vënë re që nuk dalin më në Tiranë? S’dalin më, se Tirana u ka thënë ik, non grata! Sot keni vënë re që nuk flasin më për kulla? Saliu vetë jeton në kullë, ngjitur me shkollën “Kosova”. Zyrën e ka në kullë, është ajo kulla ngjitur me Rogner. Ilir Meta është një ndër ndërtuesit më të mëdhenj. Shikoni tani që u hap Astiri, doli pallati gjigant i Ilir Metës. Ata janë ndërtues. Ata vetë rrinë në kulla dhe ndërkohë thonë: Pse bëhen shtëpitë e Zall Herrit, rrugët e Zall Herrit, urat e Zall Herrit? A ju kujtohet Ilir Meta, kemi qenë tek ura këtu? Lali Eri, – tha – është i paparë! Lali Eri është më i miri në botë! Ilir Meta edhe Saliu kërcejnë si prifti nga belaja. Kur u intereson, ne jemi më të mirët, ndërkohë sot Ilir Meta është tek fleta e votimit për demokratët. Sali Berisha ka vendosur t’i çojë demokratët si cjapi te kasapi dhe të votojnë Ilir Sigurims Metën, tek fleta e votimit. A ka poshtërim më të madh? Si mund të jesh demokrat, të kesh dinjitet, si mund të jesh demokrat që të kesh luftuar sistemin, të kesh kërkuar demokraci-pluralizëm dhe të votosh Sigurimsin?”, u shpreh Veliaj.