Kryeministri Edi Rama e cilëson si skandaloz vendimin e gjykatës së Arbitrazhit për italianin Francesco Becchetti, ku theksoi se do të reagojmë ashpër. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se duke filluar nga java e ardhshme po analizojnë mundësinë e daljes fare nga juridiksioni i gjykatës. Rama u shpreh se Becchetti, për të cilin theksoi se është një mashtrues i dënuar, nuk ka marrë asnjë lek nga shtetit shqiptar dhe se lufta me të do të vijojë.

‘Meqë me dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë që ka një lajm të kësaj natyre në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vite burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrijnë që të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën në do të hapim probleme të mëdha duke filluar nga java e ardhshme nga e cila madje po analizojmë edhe mundësinë e daljes fare nga juridiksioni pasi është skandaloze ajo që ka ndodhur.

Por këta njerëz i kanë thënë publikut që Shqipëria i ka paguar ata para, e kanë shpërndarë fletëpalosje se ikën 100 mln. Ja pra që këta 100 mln nuk kanë ikur. Nuk janë farë në xhepin e mashtros dhe mendoj se është momenti që t’u kërkoni falje shqiptarëve që i keni gënjyer për kaq shume kohë duke u thënë të kundërtën dhe sa i përket luftës me të pa asnjë diskutim ne e bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund edhe pa këtë soji të prishur shqiptarësh.

Ajo që mund t’ju them është se Shqipëria nuk ka paguar asnjë kokërr leku. Kjo është një botë shumë e komplikuar dhe me shumë procedura. Mashtro arrin të penetrojë dhe e bën jo vetëm me Shqipërinë por edhe me institucione të tjera ndërkombëtare.’- tha Rama.

Becchetti në arbitrazh ka pretenduar për një persekutim politik në mungesë të ndonjë dënimi nga drejtësia shqiptare, ndërsa tani është i dënuar penalisht për mashtrim e falsifikim me tatim taksat, bashkë me nënën e tij dhe dy administratorët e firmave të tij në Tiranë.

Biznesmenin italian Francesco Becchettin, është dënuar me 16 vite burg për krijimin një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash, përmes kompanive të tij. Po ashtu edhe nëna e tij Liliana Condomitti është dënuar me 8 vite burg, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Francesco Becchetti u dënua se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.

Sipas gjykatës penale në vendimin e dhënë në krye të një skeme fiktive të lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaç, gjyqesh, faturash e qarkullimi aksionesh mes kompanive qëndron Becchetti. Pra dënimi i gjykatës ka vërtetuar se investigimi dhe hetimi i prokurorisë ndaj Becchettit dhe firmës së tij (duke përfshirë televizionin Agon Channel) ishte bazuar mbi shkelje konkrete dhe jo mbi persekutim politik si ka konkluduar arbitrazhi.

Përgjatë procesit në arbitrazh Becchetti ka përfituar pikërisht nga mungesa e ndonjë dënim në Shqipëri kur procesi për arsye të paqarta është zvarritur për 6 vite. Ndryshe nga arbitrazhi që ndërkohë ka ecur me procedura të përshpejtuara. Edhe ditën e djeshme avokatët e Becchettit kërkuan ende kohë pasi bënin mbrojtjen prej 1 javë.