Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK ndanë dje pushtet në veri të Kosovës duke fituar nga 2 komuna. Sidoqoftë, në veri të Kosovës nuk pati një pjesëmarrje të madhe për shkak se u bojkotuan nga serbët. Pikërisht këtë bojkot, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, shprehen se serbët kanë qenë të presionuar për të bojkotuar zgjedhjet. Dy krerët e shtetit të Kosovës shprehen se serbët patën kërcënime, e si rrjedhojë refuzuan të marrin pjesë në zgjedhje. Ende nuk ka një reagim nga Presidenti Aleksandër Vuçiç ndërsa drejtori i së ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’, Petar Petkoviç i ka cilësuar si antidemokratike.

Përkatësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviç ndërsa në Zubin Potokun dhe Zveçanin qytetarët ja kanë ‘besuar’ PDK-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës u mbyll me 1.567 votues, pra me vetëm 3.47% të trupit votues.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet morën bekimin e SHBA-ve, ndërsa shprehën keqardhje për mospjesëmarrjen e qytetarëve serb në zgjedhje.