Nga Mero Baze/
Kosova bëri sot një provë force për të zhvilluar zgjedhje legale në Veri të Kosovës, dhe ja doli t’i kryejnë, por pa votues. Zgjedhjet të cilat pasojnë krizën e nëntorit të vitit të shkuar, kur Albin Kurti tentoi të ndërmerrte një operacion policor ndaj veturave me targa jo legale të Kosovës, nuk i dhanë një zgjidhje politike problemit. Në atë kohë serbët u larguan nga pushteti lokal, sistemi i drejtësisë dhe policisë dhe kërcënuan se nuk do integrohen më në institucionet e Kosovës. Kushti i tyre për të rimarrë pjesë është formimi i Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe largimi i forcave policore të Kosovës nga Veriu i Kosovës.
Të gjithë aktorët e tjerë politikë përfshi SHBA, dhe vetë qeverinë serbe, e lanë të lirë qeverinë e Kosovës të ushtronte autoritetin e saj, ndoshta për t’i treguar se zgjedhje ka rëndësi përfaqësimi real dhe jo procesi formal. Tani procesi formal u krye, incidente nuk ndodhën, por as zgjedhjet nuk prodhuan asnjë zgjidhje. Qeveria e Kosovës e harxhoi fishekun e vetëm që kishte për të vendosur pushtetin në Veri të Kosovës, por kjo “fitore” është humbja reale e saj.
Pas kësaj më 2 Maj Kurti e Vuçiqi do të takohen për të biseduar për detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe qeveria e Kosovës si detyrim parësor ka nënshkrimin e Asosacionit të komunave serbe. “Bonusi” që SHBA i dha për të kryer zgjedhjet pa zgjedhës në Veri, është një akt politik që e fut qeverinë e Kosovës në borxh të nënshkruajë më 2 Maj për ngritjen e Asosacionit dhe të merret vesh me Vuçiq pas kësaj se kur do bëhen zgjedhjet reale në veri të Kosovës dhe kur do kthehen serbët në institucione.
Zgjedhjet provuan qartazi se serbët në veri të Kosovës drejtohen nga Beogradi dhe zgjidhja vjen nga avancimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Serbët në veri të Kosovës dhe komunat e tjera me shumicë serbe, janë pengjet e Serbisë në Kosovë, të cilat qeveria e Kosovës as i çliron dot nga Serbia as i nënshtron dot me zgjedhje false. Ajo duhet ta zgjidhë problemin aty ku ka lindur.
Zgjedhjet e sotme pa zgjedhës nuk janë zgjidhje. Ato janë një kurth për qeverinë e Kosovës, për ta paraqitur para syve të botës si qeveri autoritare, që përjashton serbët nga përfaqësimi real dhe që pas kësaj duhet të vihet nën presion tu jap serbëve gjithçka që buron nga plani Franko-Gjerman ku asosacioni është në krye të listës.
Nuk di kush është i kënaqur sot nga zgjedhjet në veri, por askush nuk mund të jetë krenar për një paradë mburravecësh që u lanë të lirë të dukeshin sikur bënin zgjedhje.
Në fakt nuk bën as zgjedhje as zgjidhje. Thjesht kaluan të drejtën në anën e serbëve për tua bërë më të lehtë atë që nuk po e arrinin dot me forcën e tyre. Tani mund ta arrijnë me ndihmën e “zgjedhjeve” pa zgjedhës të Albin Kurtit në Veri, të cilat në fakt janë triumf i së drejtës për Asosacionin dhe pastaj për një palë zgjedhje të reja.