Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit për kryebashkiakë të rinj të zgjedhur dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në 13 bashki të tjera.
Nëpërmjet seancës të zhvilluar në KQZ, kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në bashkitë: Lezhë, Libohovë, Fushë-Arrëz, Vorë, Divjakë, Poliçan, Skrapar, Pustec, Këlcyrë, Tepelenë, Sarandë, Delvinë Konispol.
Deri më tani, është certifikuar rezultati për kryebashkiakë dhe këshilltarë vendor në 23 prej bashkive të vendit. Ndërkohë opozita, ka kontestuar rezultatin në disa prej këtyre bashkive, duke dorëzuar 12 kërkesa ankimore. Në Durrës, Tiranë, Kamëz, Pukë dhe Lezhë koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka kërkuar rinumërimin e votave për anetaret e keshillit bashkiak.
Ndërsa në Belsh e Kuçove koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka kërkuar rinumërimin e votave për kryebashkiakë duke pretenduar për shkelje të bëra gjatë procesit të numërimit dhe ndikim të paligjshëm nga PS ndaj zgjedhësve në 14 maj.