Një ngjarje e rëndë raportohet mëngjesin e kësaj të mërkure në një shkollë fillore në Beograd të Serbisë.
Mediat vendase shkruajnë se të paktën 9 persona kanë mbetur të vrarë, pasi një 14-vjeçar hapi zjarr në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, rreth orës 08:40. Novosti shkruan se viktimë nga të shtënat ka mbetur roja i shkollës dhe 8 fëmijë.
Autoritetet policore kanë ndaluar 14-vjeçarin i cili akuzohet për masakrën, e që dyshohet se ishte nën efektin e drogës. Ai dyshohet se qëlloi disa herë me armën e të atit.
Të shtënat masive janë tejet të rralla në Serbi. Megjithatë, herë pas herë ekspertët kanë paralajmëruar për numrin e lartë të armëve në vend.
Gjithnjë sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, nga ngjarja ka edhe persona të plagosur, disa në gjendje të rëndë për jetën.