Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i ftuar në Top Channel tha se nuk ka marrë ende një mesazh urimi për fitoren nga kundërshtari i tij politik, Belind Këlliçi edhe pse ky i fundit ka thënë se do ta uronte.

Fituesi i mandatit të tretë në Tiranë, pas zgjedhjeve të 14 majit tha se i vetmi mesazh që ka marrë është ai gjatë fushatës, që u është dërguar edhe qytetarëve të tjerë.

A të ka ardhur mesazh urimi nga Këlliçi?

Veliaj: Jo kam marrë vetëm një mesazh a je mërzitur a të ka ardhur në majë të hundës. Mora mesazhin që ju erdhi të gjithëve. U çua një mesazh spam nga fushata.

Mesazhi i parë që more cili ishte?

Veliaj: Si kam lexuar, të jem i sinqertë, me Ramën ishim aty në seli, kemi qenë aty tre ditë me stafin, Rama ishte shumë entuziast, mblidhemi aty për zgjedhjet.

Në 1.118 qendrat e votimit në Bashkinë Tiranë 158.688 vota shkuan për Erion Veliajn, ndërsa 100.351 vota për Belind Këlliçin.

Fitorja e Veliajt është me një diferencë prej 58.337 të cilën nuk e ka patur asnjë kandidat në 8 zgjedhjet e shkuara për pushtetin vendor në kryeqytet.