Kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, rezultoi i treti më i votuar në garën për bashkinë e Tiranës. Ai mori 13844 vota, duke lënë pas edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Roland Bejkon.

I ftuar këtë mbrëmje në Top Channel, Qori e vlerëson si rezultat të mirë këtë numër votash që ka marrë nga qytetarët e Tiranës.

“Rezultati më duket i mirë. Rezultati që kam marrë unë dhe lëvizja Bashkë i ka bërë njerëzit shpresëplotë. Në këtë kuptim, ndihem mirë. Shpresën e shoh te njerëzit që takoj sa dal në rrugë”.

Numrin e lartë të votave, Qori e lidh me fushatën e mirë zgjedhore, sipas tij.

“Fushata jonë ka qenë më e bukura, më e varfra, më e pasura në ide. Ka qenë një fushatë në këmbë, me autobus, me biçikletë”.

Nga ana tjetër, qytetarët që kanë votuar për Qorin, nuk kanë votuar për lëvizjen që ai drejton. Numërimi në Tiranë ende nuk ka mbaruar, por “Bashkë” deri më tani nuk merr mandate në Këshillin Bashkiak. I pyetur nga moderatorja Grida Duma se si një politikan i majtë bën fushatën vetëm për veten dhe jo për partinë, Qorin përgjigjet se “po të ishte në dorën time, do të bëja të kundërtën”.