Nga Plator Nesturi
Zgjedhjet mbaruan dhe rezultati dihet. Dhe shifrat aty janë. Për tu lexuar drejt, tashmë me mendje më të ftohtë pas zjarrmisë së fushatës, por dhe për të gjykuar mesazhin që dha vota e shqiptarëve. Rezultati midis maxhorancës dhe opozitës së copëzuar është tepër i thellë jo thjesht në numrin e bashkive të marra por dhe numrin e votave. Kjo sidoqoftë nuk ish e papritur, por e paralajmëruar në çdo analizë studiosh televizive dhe në sondazhet e publikuara. Ajo çfarë mbetej për të testuar ish pesha reale e subjekteve të veçantë të opozitës në elektorat për të përcaktuar shkallën e sëmundjes që ka prekur prej dy vitesh opozitën shqiptare në përgjithsësi. Votat e marrë në zgjedhje janë si analizat që bëhen para se të shkosh te mjeku specialist për të parë agravimin e të keqes që ka përfshirë organizmin e së djathtës në vend. Dhe prognoza duket e rëndë. Opozita shqiptare nuk është me një grip të lehtë për ta kaluar me çaj e me paracetamol. Ajo është rëndë. Shumë rëndë e drejt fazës terminale nëse nuk ndërhyhet me një bisturi të thellë për të hequr gjithë kalbësirat që e kanë gangrenizuar. A do të ish kaq e thellë fitorja e maxhorancës nëse do të kishim një opozitë më funksionale, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme elektorale ndër vite? Nëse krahasojmë shifrat që paraqesin këto votime me ato të zgjedhjeve të kaluara, vërehet se në numër votash ka arritur të mbajë të tonifikuar elektoratin e saj, por pa ndonjë avancim të mëtejshëm në shifra. Ajo çfarë bie në sy në kampin tjerët dhe është ulëritëse si fenomen, vërehet braktisja e thekshme e elektoratit që tradicionalisht ka votuar të djathtën dhe kjo është masive dhe e shpërndarë në të gjithë vendin. Nga kjo tërheqje e dukshme e ujrave të votave kundrejt opozitës, është bërë e mundur që boshllëku të mbushet me një ekspansion territorial të maxhorancës që arrin kështu të fitojë në 54 bashki të vendit. Nuk kishim pra një ekspansion të votave për socalistët por një zhytje drastike të votave ndaj së djathtës që bëri të mundur këtë rezultat. Madje, ndryshe nga sa mendohej se përçarja në dy subjekte politike e demokratëve do të ndikonte në rezultat, kjo gjë nuk ndodhi. Socialistët nuk përfituan kushedi nga kjo përçarje për rezultatin që arritën. Të vetmet bashki ku ndarja e votave PD-së me Rithemelimin bëri të që përfitojnë kandidatë socialistë, ishin ato të Kukësit dhe të Këlcyrës, ku fitorja u sigurua me më pak se 50% të votave. Vetëm kaq është e mjaftueshme te kuptosh se braktisja ka qenë aq e madhe ndaj të djathtës e veçanërisht Berishës, saqë hodhi në erë justifikimin e menduar që më parë se humbja kish ardhur si rezultat i përçarjes së opozitës. Gjithshka që ish programuar për tia lënë kopilin e humbjes në derën e Alibeajt, si i shitur e prej të cilit përfiton Rama, rezultoi një tullumbac i çpuar. Braktisja në masë në vota nga elektorati i djathtë shoi çdo justifikim që mund të përdorte lideri i vjetër për të qëndruar ende në të njëjtin fron.
Shifrat e zgjedhjeve janë kokëforta e nuk mund të shpërfillen. Në mes shumë mesazheve që japin të bën të ngresh edhe pyetjen: A mund të quhet më Berisha një faktor relevant politik në të djathtën shqiptare? Dhe nëse ende do të vijojnë ta quajnë si faktor shtrohet pyetja e dytë: A është një faktor që mund të pretendojë rritje në të ardhmen apo është gjithmonë e më në rënie? Këto mund të jenë pyetje që duhet ti bëjë çdo demokrat, pavarësisht kahut nga është rreshtuar midis dy formacioneve të ish partisë së dikurshme, ndërsa shohin që pas një humbje kaq të tmerrshme, Berisha me Metën duan të farkëtohen njësh me fronin e tyre duke nxjerrë si arësye pretendimin e lodhur e të vjetër të vjedhjes së rezultateve. Deklaratat për të mos u tërhequr e pa marrë asnjë përgjegjësi për këtë disfatë bie ndesh dhe me aktin që ndërmorri Alibeaj për tu dorëhequr nga drejtimi i PD-së, por dhe që anullojnë çdo shpresë të dikurshme që justifikonte rishfaqjen e Berishës në krye si rruga e vetme që PD të mos shkërkoqej më tej e të mbetej alternativë konkururese. Humbja kësaj rradhe ishte e turpshme. Madje më e turpshme se sa kur PD braktiste zgjedhjet vendore e PS fitoi në tavolinë 60 bashki. E për këtë turpërim e braktisje elektorale duhet padyshim një analizë më e thellë në të dy strukturat e demokratëve, pavarësisht se rrugët e tyre duhen pa pikë lidhje midis tyre tashmë. Ajo çfarë vihet re është se figura të rëndësishme të së djathtës janë të tërhequr dhe pa komente për çka ndodhi. I vetëm në fushë mbetet Berisha që përsërit pa reshtur se nuk do të tërhiqet e do të rezistojë deri në të fundit që do i rri pranë pas braktisjes. Analiza duhet si për shkaqet por dhe për shkaktarët e një rezultati diskretitues. Dhe se çfarë ka arritur të fitojë Foltoja nga këto zgjedhje realisht do të bëhet e qartë me mbylljen e numërimit të votave të këshillave bashkiakë. Kur të shihet pas shpërndarjes se koaliconit Bashkë Fitojmë se në emër të kujt do të regjistrohen këshilltarët bashkiakë nëpër rrethe. Thjesht do të konfirmohet se nga votat e koalicionit, PL do të jetë forcë e dytë pas PS në numrin e këshilltarëve bashkiakë. Ndërsa numri i këshilltarëve bashkiakë të Foltores do të jetë i njëjtë me numrin e PD së Alibeajt apo dhe numrin e këshilltarëve të PSD të Tom Doshit. Ku ishim? Hiç gjëkundi. Çfarë fituam? Hiç asgjë.