Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka komentuar deklaratat e Flamur Nokës për shit-blerje të votës në Elbasan. Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i këtij qarku, deklaroi se opozita po përgatit alibinë për humbjen e radhës që i pret më 14 maj.
“Dega e Foltores në Elbasan ka valëvitur sot Flamurin me akuza bombastike për blerje e shitje votash. Për të qeshur e për të qarë! Po bëjnë fiks atë që unë e kam paralajmëruar e thënë prej disa ditësh në çdo takim me qytetarë të Elbasanit. E kam thënë qartazi se trajektorja e sjelljes së foltores në Elbasan do kalojë në disa faza. E para, faza e euforisë dhe thashethemnaja që përhapën se Gledian Llatja nuk do të rikandidohej për një mandat tjetër. Dolën blof! E dyta, thellimi i euforisë teksa hërhapën thashethemnajën sikur Edi Rama e paska lëshuar Elbasanin në tavolinë për Berishën dhe Metën. Sigurisht dolën blof! E treta, kaluan tek faza e premtimeve tullumbace me sheshxhirime filmash e Disney Land apo kompani fantazma që do të investonin qindra miliona euro. Lan nam! Tanimë kemi mbërritur tek faza e katërt, përgatitja e alibisë së humbjes! Pasi e kanë kuptuar se humbjen e kanë të sigurtë, kanë filluar të akuzojnë se gjoja po ua vjedhin votat”, thekson Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve shprehet se Elbasani në 14 Maj do të vendosë qartazi të ndahet njëherë e mirë nga e shkuara. Ai deklaroi se inkurajon plotësisht çdo institucion ligjzbatues përfshirë dhe SPAK-un të vëzhgojë nga afër sjelljen e çdo individi në Elbasan para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
“Nuk ka asgjë që e ndal Elbasanin! Elbasani në 14 Maj do të vendosë qartazi të ndahet njëherë e mirë nga e shkuara, nga ata që nuk pranojnë vullnetin e zgjedhësve dhe refuzojnë të njohin humbjen! Inkurajoj plotësisht çdo institucion ligjzbatues përfshirë dhe SPAK-un të vëzhgojë nga afër sjelljen e çdo individi në Elbasan para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor! Veçanërisht kërkoj monitorimin e familjarëve të Luçiano Boçit të cilët lëvizin natën me çanta nëpër shtëpitë e qytetarëve! Elbasani as nuk shitet, as nuk blihet! Elbasani ecën vetëm përpara! Kurrë më mbrapa”, nënvizon Gjiknuri.