Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar sot një takim elektoral në qytetin e Vlorës.

Gjatë fjalimit në takim me disa simpatizantë, ai deklaroi se Sali Berisha po i çon demokratët te “sqetulla e Ilir Metës”.

Alibeaj tha se Berisha, Meta dhe Edi Rama, kanë një hall të përbashkët, që sipas tij është frika nga drejtësia dhe Amerika.

“Sali Berisha nuk kishte asnjë problem me regjmin e Ramës, regjimi i Ramës e ndihmoi të zvarriste sa më shumë vendimin për vulën e PD.

Kohë që lideri historik e përdori për të gënjyer, shantazhuar, blerë dhe shpifur. Sali Berisha tani e ka zaptuar edhe selinë e PD. Sali Berisha nuk jep, ai di vetëm të marrë. Demokratët i kanë dhënë shumë. Sali Berisha ua refuzoi demokratëve me pushtetin e tij mundësinë për të marrë të paktën gjysmën e bashkive të vendit. Sali Berisha nuk jep, ai vetëm merr.

Ai kërkon të marrë me vete të gjithë demokratët dhe për t’i çuar në sqetullën e Ilir Metës, për t’i çuar te “Shtëpia e Skllavërisë”.

Hallexhinjtë janë bërë bashkë për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe Amerika, me ta është edhe Rama”, u shpreh Alibeaj.