Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje palëve për ulje të tensioneve dhe rikthim në dialog.
“Nuk jam në pozicion për të ju treguar se çfarë do të ndodhë në objektet e komunave të kryetarëve të sapozgjedhur. U bëj thirrje palëve që të deskalojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut, përtëritjes së raporteve, zgjidhja është përmes dialogut”, tha Hovenier.
Hovenier para kryeministrit pati një takim me presidentetn e Kosovës Vjosa Osmani, ku u shpreh se kryetarët duhet të kryejnë detyrat, por jo të hyjnë me forcë.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.