Nga Adriatik Doçi/
Në shkurt të këtij viti, Rajmonda Nika i ka kërkuar SPAK-ut ndjekjen penale të ish kryeministrit Sali Berisha, ish ministrit të Brendshëm Lulzim Basha si dhe të ish komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi për vrasjen, sipas saj, të bashkëshortit të saj, Aleks Nika, në protestën e 21 Janarit 2011, gjatë të cilës u ekzekutuan nga garda edhe Ziber Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtajt, ndërsa u plagosën edhe 6 protestues të tjerë, që të gjithë të pafajshëm dhe protestues paqësorë.
Kallëzimi penal erdhi pas publikimit të një audioje, ku pretendohet se komandanti i Gardës Ndrea Prendi, në 21 Janar 2021, porosit vartësit për të hapur zjarr mbi protestuesit. Kujtojmë që në 25 janar 2023, dy ditë pas publikimit të audios, PS dorëzoi kallëzim në SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, për vrasje dhe shpërdorim detyre.
Në 24 shkurt 2023, kreu i SPAK-ut Altin Dumani, ka shpallur mungesën e kompetencës e SPAK për shqyrtimin e kallëzimit penal të Rajmonda Nikës, duke e referuar kallëzimin për trajtim në Prokurorinë e Tiranës. Dumani arsyeton se për këtë çështje, Prokuroria e Tiranës ka rifilluar hetimet në 4 shkurt të vitit 2021, me qëllim identifikimin e autorëve të vrasjes së Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. Dumani thekson se deri në ato momente, nga hetimet që po kryente Prokuroria e Tiranës, nuk provohet që vrasja të jetë kryer nga persona që janë kompetencë e SPAK-ut.
Vendimi i Dumanit është apeluar nga Rajmonda Nika në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, me pretendimin se çështja duhet të hetohet nga SPAK, pasi Sali Berisha dhe Lulzim Basha, janë subjekte të SPAK-ut dhe se audioja e publikuar i implikon ata si eprorë të Ndrea Prendit. Në 29 mars 2023, gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Elsa Ulliri, ka rrëzuar ankimin e Rajmonda Nika, duke lënë në fuqi vendimin e kreut të SPAK-ut.
Vendimi i gjyqtares Elsa Ulliri është ankimuar nga bashkëshortja e Alkes Nikës në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Në ankimin pretendohet se Berisha, Basha, Prendi etj., duhet të hetohen si grup i strukturuar kriminal.
“Provë e rëndësishme që vërteton se urdhëruesi i këtyre vrasjeve ishte pikërisht ish kryeministri Sali Berisha, është fakti se komandanti i Gardës, pjesëtar i organizatës kriminale, pasi u thirr në zyrën e ish kryeministrit për të marrë urdhrin e ekzekutimit të disa prej protestuesve dhe bëri me të një debat të ashpër, i cili degjeneroi në ushtrimin e një dhune të rëndë fizike që ish kryeministri ushtroi mbi Komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ky i fundit veproi menjëherë me zinxhirin e anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale dhe me armët e zjarrit të Gardës së Republikës, bëri masakrën shtetërore, duke vrarë 4 qytetarë të këtij vendi dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Përgjimi i kësaj dite, i cili për fatin e keq, nuk u morë dhe nuk u administrua prej drejtuesit të SPAK para se të dërgonte shkresën e tij Nr.K.137/1 Prot. A. Sh, datë 24.02.2023 për të shpallur moskopetencën lëndore, është një provë shumë e rëndësishme e cila e bënë kompetente vetëm SPAK për regjistrimin e këtij procedimi penal dhe hetimin e kësaj çështje”, thuhet në ankimim.
Tashmë do të jetë Gjykata e Apelit, e cila do të vendosë nëse hetimet për vrasjen e Alkes Nikës do të vijojnë nga SPAK apo nga Prokuroria e Tiranës. (Shqiptarja.com)