Ditën e sotme policia ka njoftuar arrestimin e dy personave, babë e bir në Tiranë, të cilët tentuan të mashtronin një biznesmen me qëllim që t’i merrnin shumën prej 100 mijë eurosh.

Mësohet se ata i shkruanin biznesmenëve në platformën “Telegram” duke u shtirur se ishin të afërm të një politikani.

Fillimisht skema e mashtrimit niste në “Telegram”, ku organizator ishte shtetasi Florian Gjergji, i cili i shkruante biznesmenëve duke i thënë “jam i afërm i x politikani” dhe më pas pretendonte se ishte zyrtar i lartë në shtet dhe në këmbim të parave u premtonte favore apo ndikim në shtet në lidhje me bizneset.

Ndërkohë ky shtetas nuk dilte vetë në terren për të marrë shumën e të hollave për të cilat ishte dakorduar me “viktimën”, por një detyrë të tillë e kryenin Bedri dhe Albert Vodha.

Policia ra në gjurmën e grupit, pasi në muajin ,mars një tjetër biznesmen kishte rënë pre e mashtrimit të tyre.

Ky ishte momenti ku policia vendosi grupin nën përgjim, deri në ,momentin kur grupi u riaktivizua dhe tentoi të mashtronte viktimën e radhës.

Kujtojmë se organizatori i grupit, është ende i shpallur në kërkim dhe se po punohet për kapjen e tij.