Komisioni Evropian njoftoi sot një marrëveshje me kompaninë farmaceutike amerikane “Pfizer” për të ndryshuar kushtet e kontratës për furnizimin e vaksinave kundër Covid-19.

“Në të ardhmen, vendet anëtare të BE-së do të blejnë më pak vaksina dhe do të kenë një periudhë më të gjatë kohore për të blerë doza të reja”, tha komisioni.

Në vitin 2021, BE-ja u zotua të blinte 900 milionë doza fillestare me një opsion për 900 milionë doza të tjera. Njoftimi vjen pasi Polonia, ndër të tjera, bëri thirrje për të negociuar kontratat e furnizimit pasi kërkesa për vaksina aktualisht është më e ulët se gjatë pandemisë.

“Si rezultat i më pak dozave të blera, detyrimet e pagesës së qeverisë gjermane prej 2.1 miliardë euro (2.2 miliardë dollarë) ndaj “Pfizer” ka të ngjarë të reduktohen me 500 milionë euro”, sipas Ministrisë gjermane të Shëndetësisë.