Belind Këlliçi ka rikonfirmuar mëngjesin e sotëm, edhe me gojën e tij, se nuk ka një dëftesë pjekurie të shkollës së mesme.

Në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI Tv, në përpjekje për t’u justifikuar për akuzën se nuk ka diplomë gjimnazi, Këlliçi dështoi sërish ta publikonte atë e në vend të saj nxorri vetëm një listë notash të 4 viteve të përfunduara në Institutin ‘Harry Fultz’.

Me këtë fakt ai konfirmoi edhe një herë se ka bërë vetëm 4 vite të ciklit të gjimnazit, dega Biznes, nga 5 vite që duhet të kryente gjithsej.

Investigimi për diplomën

Më herët, edhe nga Instituti “Harry Fultz”, edhe Ministria e Arsimit, është konfirmuar se Këlliçi nuk ka diplomë të shkollës së mesme, sepse ka kryer vetëm 4 vite nga 5 që duhet të përfundonte për t’u pajisur me dëftesën e pjekurisë. Nga ana tjetër, nga dokumentacioni i siguruar nga Ministria e Arsimit lidhur me njësimin e diplomës së shkollës së lartë, Këlliçi ka deklaruar përpara komisionit të njësimit të diplomës (deklarata e depozituar prej tij në MAS) se kriteri hyrës në Universitet, që ai ka përfunduar studimet, është “përfundimi i shkollës së mesme”, të cilën nuk e ka paraqitur. Në vend të saj ka paraqitur vetëm një listë notash.