Pas një rritjeje të ndjeshëm në katër vitet e fundit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet ka shënuar rënie të ndjeshme në tre muajt e parë të këtij viti.

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2023, sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet ishte rreth 200 mijë metra katror, me një rënie prej 75% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u dha një nivel rekord prej rreth 800 mijë metra katror.

Sipërfaqja e dhënë jo vetëm ka rënë ndjeshëm në krahasim me tremujorin e parë 2022, por është dhe niveli më i ulët në 5 vjet, që nga 2018-a.

Në linjë me ecurinë e kryeqytetit, ka rënë dhe sipërfaqja e lejeve të dhëna në të gjithë vendin. Sipas INSTAT, në vend, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2023, është 415.842 m2, nga 1.031.088 m2 miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 59,7%.

Në tremujorin e parë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21 miliardë lekë, nga 39 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 46,3%.Në Tiranë u dhanë më pak se 50% e lejeve, nga 87% që ishte pesha në tremujorin e parë 2022. Durrësi dha 25% të totalit të sipërfaqes dhe ishte i vetmi që shënoi rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë vitit 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vend arriti në një nivel rekord, e ndikuar nga kryeqyteti. Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katror.

Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat ë detajuara sipas qarqeve./Monitor