Midis kolazhit të fotove nga fëmijëria e Erion Veliaj, ndodhet edhe një me babain e tij në amfiteatrin e Liqenit. Nisur nga pyetja që i drejtohet në “Rudina”, ai nis të imagjinojë një bisedë me babain e tij të ndjerë dhe është i sigurt se do të dëgjonte këshilla dhe jo komplimente.

Erion Veliaj: Babai im, me aq sa mbaj mend se në klasë të tretë, të katërt, nuk i thoshte kollaj komplimentet. Jam i sigurt që nuk do më bënte furça sot. Pra më shumë se dikush që do më thoshte “sa bukur dole te Rudina, sa u kënaqëm”, pra të më bënte qejfin, do ishte dikush që do më thoshte “shiko po të ishe pak më modest, pak më me këmbë në tokë, nuk fillon bota dhe Tirana me punën tënde, ti do bësh atë tënden”. Pra jam i sigurt që do ishte dikush që do m’i jepte komplimentat me gramaturë dhe këshillat me kile, në këtë sens, pra ishte ai lloj tipi. Duke marrë shkas nga fotoja, e cila reflekton edhe kohën që babai i tij kalonte me të, Veliaj ka edhe një zotim për familjen e tij, i cili do të realizohet menjëherë pas fushatës zgjedhore.

Erion Veliaj: Nëse ka një premtim të sinqertë që i kam bërë familjes time, edhe pse Ajola thotë “ëhë e di unë, pasi të mbarojë fushata, do fillojë fushata tjetër, ti s’ke për të mbaruar ndonjëherë”, por vërtetë jam impenjuar për ta mbajtur këtë premtim, është që pas 14 Majit do kaloj kohën që i kam borxh Ajolës dhe Kait për gjithë këto vite. E kam marrë një zotim sepse them kur im atë, në një sistem komplet të çmendur edhe atë kohë që kishte ma dedikonte, duhet të paktën të bëj unë minimumin e mundshëm për çunin dhe bashkëshorten.

Gjatë fushatës, kryetari i bashkisë Erion Veliaj është shfaqur duke bërë punë të ndryshme në shërbim të njerëzve. Ai shprehet se një profesion i ardhshëm pas funksionit si kryetar bashkie, do të ishte sërish në shërbim të komunitetit dhe brezave të rinj.

Erion Veliaj: E kam menduar seriozisht se ky është tamam ai që quhet vallëzimi i fundit, me ligj 3 herë mund të jesh kryetar bashkie. Kështu që kam filluar të mendoj çfarë do bëj pas, por do kisha shumë dëshirë të jepja mësim. Nuk e di, profesor në fakultet ose edhe në shkollë të mesme. Më pëlqen të ndaj eksperienca.

Ajo historia në kopshte, çerdhe, shkolla më ka mësuar se sa i rëndësishëm është roli i mësuesit, i dikujt që ka eksperienca në jetë dhe se nuk ka rëndësi t’i pësosh të gjitha këto gjëra. Dikush që është plot me përvoja mund t’i ndajë këto me ty dhe mund të të ndihmojë që të bëhesh qytetar më i mirë.