Nga Lorenc Vangjeli/

Një kandidat i rëndësishëm socialist nuk ju përgjigj asnjë pyetjeje të moderatores së emisionit në një studio televizioni informative. Karrigia e tij bosh në studio ishte prania e tij e vetme në atë studio. A2 CNN ishte përjashtimi pothuaj i vetëm i pasqyrimit të një gare pa ballafaqime publike kandidatësh. “Debat” me Alba Alishanin, përveç këtij rasti, kishte krijuar komunikimin në distancë, por në të njëjtën hapësirë me të gjithë kandidatët e tjerë në distancë, ishte megjithatë shumë pak për të shpëtuar nderin e cënuar të medias që edhe njëherë si shumë herë, dështoi të shndërrohet në arenë ballafaqimi. Pjesa dërmuese e saj, në vend të servirjes reciproke të ofertave për qytetet, zgjodhi – shpesh e detyruar – të kthehet në një zgjatim të vullneteve politike të partive në garë. Më saktë të drejtuesve të tyre. Ky është rasti klasik, kur një sërë faktorësh, një nga të cilët edhe vetë autodefaktorizimi i medias tradicionale dhe humbja e terrenit prej saj në favor të mediave alternative, që fushata u zhvillua me regji qëndrore. E ftohtë, perfekte në formë si OMGJ, por pa prekur thelbin e interesit të qytetarit. Kjo qershi e hidhur mbi një tortë butaforike, do të jetë me siguri, një nga gjetjet që raporti i zonjës Glover do ta trajtojë me habi të huajsh, por do të përcillet me mospërfillje nga aktorët vendas.

Të tjerë detaje do të skicojnë si atipike këtë fushatë në kuptimin normal të fjalës. Duke nisur me shndërrimin e tyre që pa nisur ende në një ndeshje politike në vend të një ballafaqimi administratorësh qytetesh. Tre të mëdhenjtë e politikës, Rama, Berisha e Meta konkuruan kokë më kokë në të 61 bashkitë e vendit, me përjashtimin domethënës për Tiranën, kur oferta e socialistëve ishte e dyfishtë me Erion Veliajn, i cili bashkë me rikonfirmimin e tij në zyrë, kërkonte rilegjtimimin moral e politik të mandatit të Edi ramës në qeverisjen qëndrore. Të tre ata u sollën si Borëbardhat e vetme politike që prezantuan disa dyzina kandidatësh xhuxhë në garë, që në shumicë vazhduan të mbeten të panjohur për publikun. Me përjashtim të jo më shumë se dhjetë emrave, të tjerët i ngjanin njëri-tjetrit si pika pikës.

Këto zgjedhje kanë qenë më të varfërat, së paku krahasuar me paratë e shpenzuara në zgjedhet e prillit të dy vjetëve më parë apo edhe më herët. Vetëm një bulevard në Kamzën e dikurshme ka pasur më shumë agjitacion figurativ dhe ndotje estetike posterash, parrullash e flamujsh elektoralë sesa gjithë Shqipëria e majit të këtij viti. Redaksitë e televizioneve dhe portalet e pafundme, kanë qenë të zhgënjyerit e mëdhenj që ndryshe nga sa pritej, politika nuk u shpërndau më shumë se thërrime – së paku formalisht – si në fushatat e supërkushtueshme të dikurshme. Për paradoks, KQZ dhe fushata e saj e publicitetit, ishte donator më i madh i këtyre zgjedhjeve. Edhe kandidatët që sponsorizonin e superpozonin zërin e tyre në studio në këmbim të pagesës, madje edhe vanitozët egzotikë që nuk mungojnë asnjëherë në gara, kësaj here ishin të rrallë dhe “bujaria” e rishpërndarjes së lekëve të xhepit apo atyre të projektuara se do t’u vinin nesër nga posti, ishte tmerrësisht e vakët.

Kjo fushatë, në mënyrë paradoksale, qoftë dhe për faktin se pavarësisht se të gjithë duket sikur bëjnë garë, janë të vetëdijshëm për rezultatin, pati si risi Shkodrën dhe Himarën.

Në rastin e parë sepse në Shkodër, për herë të parë në tre dekada socialistët kanë hyrë si ofertë serioze për të qeverisur për herë të parë perlën e veriut të Shqipërisë. Modestë në qasje dhe kapilarë në depërtimin në terren, me një kandidat edhe të së majtës edhe të së djathtës dhe me premtimet që Shkodra e mandatit të tretë të Ramës do të jetë Vlora e mandatit të tij të parë, trinomi Beci-Rama-Spiropali kanë shansin jo të shohin sesi Shkodra do të bjerë, por të vihen në provë sesi ajo mund të ngrihet gjatë qeverisjes së tyre të mundshme edhe aty.

Nga ana tjetër, Himara u shndërrua në Elbasanin e dy vjetëve më parë. Pa krisma e gjak në mes të ditës, por me pranga dhe arrest në mes të natës. Ka pasur një sërë faktorësh që e ngjizën mesnatën e të enjtes kur u arrestua nën akuzën për blerje votash kandidati i opozitës. Duke nisur që me mëkatin politik që bënë së bashku Berisha e Meta duke vendosur në garë një personazh kontravers si Beleri e duke vijuar me gabimin e Ramës që e legjitimoi atë si kundërshtar të vetes. Të parët ishin të vetëdijshëm se vendimi i tyre do ta bënte pa asnjë dyshim Himarën një lugë të pamungueshme benzine në supën e zgjedhjeve, i dyti sepse siç kërkoi të identifikojë 61 kandidatët e opozitës si maska të Berishës dhe Metës, e skicoi Belerin si fytyrën e përbashkët të të dyve. Edhe të Berishës, edhe të Metës.

Ka pak gjasa që Rama të ketë pasur dijeni për aktin final të prokurorit, porse mund të kishte mësuar se policia po mbante në vëzhgim rrethin e afërt të kandidatit. I vetmi detaj që më shumë se e tradhëton, e mbron kryeministrin, është pikërisht gabimi i tij etik për t’u ballafaquar në distancë me të. Nuk kishte pikën e arsyes që Herkuli i politikës, siç e konsiderojnë miqtë dhe armiqtë e tij të shumtë, të shndërrohej në Guliverin e Tiranës që ndeshej me liliputin e Himarës. Në të gjithë hamendësimet që do të vazhdojnë edhe mbasi zonja Glover ta përfshijë këtë incident në raportin e saj, pakkush do të kujtohet të bëjë pyetjen normale: bleu apo jo vota në Tiranë një kandidat në garë. Fundja, në shportën e qershive të Nastradinëve, nuk ka gjasa të ketë fruta të palagur.

Për të gjitha këto arsye, karrigia bosh në studion e Alishanit nuk ishte e vetmja që heshti përballë pyetjeve të gazetares. Pothuaj të gjithë kandidatët, edhe ata që i flisnin mikrofonit dhe i buzëqeshnin kamerave, në fakt nxirrnin në transmetim zërat e kryetarëve të partive dhe portretet e tyre familjare për shqiptarët prej tre dekadash tashmë. Sepse ata edhe për shumë kohë do të vazhdojnë të jenë Borëbardhat e vetme që do të shëtisin listë më listë dhe qytet më qytet xhuxhët e tyre. Që pavarësisht se kush fiton e kush humbet, triumfues të vetëm do të mbeten ata.