Përveç shumicës dërrmuese të bashkive, socialistët do të kontrollojnë edhe thuajse të gjithë fondet e pushtetit vendor, pas fitores me 53 bashki në zgjedhjet e 14 Majit.
Buxheti total i të 61 bashkive të vendit për këtë vit llogaritet në afërsisht 79.2 miliardë lekë, apo 708 milionë euro. Nga kjo shumatore, shpenzimet e bashkive të ngjyrosura me rozë arrijnë në 75.7 miliardë lekë, apo plot 677 milionë euro.
Bashkia me buxhetin më të lartë në të gjithë vendin është Tirana me 28.7 miliardë lekë, fond i cili është rreth 7 herë më i lartë se bashkitë e tjera të mëdha të vendit dhe sa 36.2% e buxheteve të të gjitha bashkive. Durrësi renditet në vend të dytë me 3.9 miliardë lekë, ndërsa Elbasani i treti me 3.4 miliardë lekë. Bashkia nën drejtimin e PS me buxhetin më të vogël për 2023 do të jetë Bashkia e Pustecit me 83 milionë lekë. Nga ana tjetër koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të administrojë buxhetet në 7 bashki, që kapin një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, thuajse njëlloj sa buxheti i Shkodrës, që drejtohej nga demokratët, e katërta në rang vendi.
Ndër bashkitë blu, buxhetin më të lartë e mban Bashkia e Kavajës e cila ka një buxhet prej rreth 920 milionë lekësh, pasur më tej nga Himara me 733 milionë lekë. Më pak nga të gjitha bashkitë renditet Bashkia Memaliaj, me një buxhet 260 milionë lekë.
Ndërsa Finiqi, bashkia e fituar nga Romeo Çakuli i partisë MEGA, ka shpenzime të parashikuara në vlerën e 371 milionë lekëve. Në total buxhetet e administruara nga Partia Socialiste zënë rreth 95.6% të të gjitha fondeve të bashkive ndërsa Partia Demokratike rreth 4.4%.