Është një person i afërt i njërit nga dy të zhdukurit e Sarandës, i cili ka publikuar detaje tronditëse që lidhen me rrëmbimin e Fatmir Sulovarit dhe të Leonard Thodhorit.
Duket se në fakt miqtë dhe familjarët e dy të zhdukurve po bëjnë punën e Policisë, të Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese që duhet të merren me zbulimin e fakteve që të çojnë në të paktën gjetjen e trupave, nëse dy djemtë rezultojnë të jenë vrarë. Prej më shumë se 6 javësh, familjarët e dy djemve të zhdukur nuk kanë pushuar asnjë moment duke kërkuar në të gjitha format gjurmë nga njerëzit e tyre por deri më tani, ata tregojnë se nuk e kanë pasur ndihmën e duhur të strukturave përgjegjëse. Ata pak ditë më parë erdhën edhe në Policinë e Shtetit për t’i kërkuar ndihmë kryepolicit të vendit, por sërish asnjë e dhënë konkrete nuk doli nga kërkimet e Policisë së Shtetit.
Po ashtu, në ndihmë të kërkimeve të Policisë sonë u kërkuan edhe qenë për të bërë mbulimin e gjithë territorit, në të cilin dyshohet se mund të jenë zhdukur dy djemtë, por sërish asnjë gjurmë nuk u identifikua. Së fundmi, kanë dalë në pah pamjet e një pike karburanti që gjendet në Qafë Gjashtë. Në atë kamera janë fiksuar tri makina, dy furgonë dhe një fuoristradë që lëvizin njëra pas tjetrës, ku dyshohet se në sediljen e parë të furgonit të parë ka qenë i ulur vetë Fatmir Sulollari, ndërkohë në dy mjetet e tjera nuk janë shquar personat.
Pak më shumë se një orë më vonë, i njëjti furgon është fiksuar sërish nga e njëjta kamera, por me targa të tjera dhe Fatmiri nuk ka qenë më në sediljen e parë. Policia ka identifikuar mjetet, ka një person ka mundur të gjejë edhe një ndërtesë, në të cilën dyshohet se janë dhunuar dy djemtë, ndërkohë që ka të dhëna, jo zyrtare, që janë në kërkim të paktën 6 persona për atë ngjarje, por nuk kanë ende trupat që të mund të zbardhin ngjarjen e plotë.
Teksa ende nuk dihet asgjë për fatin e dy 46-vjeçarëve në Sarandë, të cilët rezultojnë të zhdukur, disa pamje hedhin dritë mbi ngjarjen. Altin Gjini, miku i Fatmir Sulovarit, një prej dy personave të zhdukur në Sarandë, zbuloi në “Euronews” pamjet e mjetit të fundit ku është parë miku i tij.
Sipas Gjinit, kërkimet private të familjarëve kanë zbuluar automjetin tip “Benz”, ku shihet në sediljen e parë Fatmir Sulovari, ose Krasniqi, i cili shihet i qetë. ‘Benz’-i është filmuar në një karburant në Qafë Gjashtë, ku në ikje ka qenë me targa shqiptare dhe kur ka marrë Krasniqin është parë në të njëjtën pikë karburanti me targa greke.
“Takimi i dytë më zotin Muhamet Rrumbullakun na dha shpresë. Rumbullaku premtoi te vëllai i madh, te Gëzimi, që kërkimet janë në rrugë të mbarë. E kundërta ndodh me Policinë e Sarandës. Me ngadalë po kthjellojmë mendimin tonë. Sa e mprehtë Policia e Shtetit, në ditën e protestës së parë tha që në sistemin TIMS është vërejtur ardhja nga Evropa e shumë kontingjenteve kriminalë, miq të Krasniqit. Edhe ky kontingjent mbase në respekt të vëllait tonë ka bërë një punë më të madhe se Policia e Sarandës. Kanë gjetur në Qafë Gjashtë, në krahë të djathtë kemi një ‘Benz’ të zi që në ikje është me targat AA175LV dhe në front në minutën 14:47 keni një furgon të bardhë dhe nga pas një ‘Range Rover’ të zi. Pas një ore e 10 minuta, tek i njëjti karburant, shikon furgonin dhe ‘Benz’-in e zi, i cili ka targa greke YTO1114. Pra, ka ikur me targa shqiptare dhe është kthyer me targa greke. Ky është ‘Benz’-i ku ka hipur Fatmir Krasniqi, ndodhet në vendin e parë, i qetë, me dorën e mbajtur te mbajtësja e tavanit. Kjo është e provuar nga Policia”, tha Gjini.