Nuk ka një përkufizim të saktë për një deodorant ose antidjersë natyrale, në përgjithësi kjo ka të bëjë me përbërësit që ky produkt nuk përmban.
Këtu zakonisht përfshihen sulfate, parabene, parfume sintetike ose ngjyrues. Të gjitha këto janë shtesa që njihen për shkaktimin e acarimit dhe alergjive të lëkurës. Ndryshe nga deodorantët që maskojnë erën e keqe, antidjersa vepron duke mbyllur gjëndrat e djersës në mënyrë që sasia e djersës të zvogëlohet.
Ndryshe nga deodoranti, antidjersa lidhet me shkaktimin e kancerit të gjirit për shkak të aluminit. Megjithatë ende nuk ka asnjë provë që sugjeron se kjo është e vërtetë. Një deodorant natyral bazohet në përbërës me bazë bimore, si dhe vajra të ndryshëm për një erë të këndshme.
Por për shkak se nuk ka një përcaktim të saktë për atë që mund të quhet deodorant natyral, markat e ndryshme lënë jashtë ose përfshijnë përbërës të ndryshëm bazuar në atë që kompania e tyre e konsideron si “natyrale”. Për shembull dikush mund të lërë jashtë përbërësit irritues, por mund të mbajë një formë alumini veçanërisht ato të etiketuara si “antiperspirantë natyralë”. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të lexoni përbërësit në etiketë.
Çfarë duhet të kërkoni tek një deodorant natyral?
Nëse keni përdorur një antidjersë dhe më pas keni kaluar tek një deodorant natyral, mund të ndjeni se aroma e djersës mund të rëndohet në ditët e para.
Fuqia e antidjersës me bazë alumini ndikon në aftësinë e baktereve për t’u rritur dhe lulëzuar, thonë studiuesit. Pra, nëse vëreni se keni erë të ndryshme pasi keni bërë ndryshimin e produkteve, kjo varet nga produkti që keni përdorur më parë dhe nga përbërësit që përmban produkti juaj i ri.
Për të shmangur këtë zgjidhni produkte që përmbajnë përbërës alternativë që thithin dhe mbajnë larg erën e djersës, si për shembull soda e bukës.
Përtej kësaj, sigurohuni që të lexoni etiketën, sepse disa produkte mund të përmbajnë përbërës që ju dëshironi të shmangni. Një nga gjërat më të mira në lidhje me deodorantin natyral janë përbërësit që ushqyejnë lëkurën. Gjalpi shea dhe aloe vera janë përbërës të mrekullueshëm, që nuk ju irritojnë dhe ndihmojnë në hidratimin e lëkurës tuaj. Gjithashtu ato kanë veti anti-inflamatore që ndihmojnë në frenimin e formimit të baktereve që shkaktojnë erën e rëndë.
Si të kaloni tek deodoranti natyral?
Shumë nga këto produkte natyrale mund të jenë irrituese për lëkurën, veçanërisht për lëkurën e sqetullës, e cila është e hollë dhe e ndjeshme ndaj skuqjeve dhe reaksioneve alergjike.
Prandaj fillimisht aplikoni produktin e ri në parakrahun tuaj dhe vëreni për ndonjë reagim të mundshëm, të tillë si acarim ose djegie.
Konsideroni të blini një produkt që nuk përmban vajra esencialë, të cilët shpesh shtohen për aromë.
Jini në vëzhgim për efekte të tjera anësore, si puçrrat në sqetull, ato mund të jenë një shenjë folikuliti, pra se diçka po bllokon poret e lëkurës, si djersa apo deodoranti.
Kjo mund të ndodhë edhe tek ata që përdorin deodorant natyral. Nëse keni probleme të mëdha me djersitjen që deodoranti ose antidjersa nuk mund t’i zgjidhë, bisedoni me dermatologun tuaj.