I dërguari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak do të jetë ditën e sotme në Kosovë, ku do të pritet nga kryeministri Albin Kurti. Emisari evropian, pas vizitës në Prishtinë, pritet të shkojë edhe në Beograd. Ai wshtw takuar sot me Albin Kurtin, teksa pas takimit ka dhwnw edhe njw prononcim pwr mediat. Ai tha se se zhvilloi diskutim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës.
“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv por shumë i rëndësishëm”.
Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, prej ku dëshiron të shohë nga afër situatën atje.
Në vizitat në të dy vendet, Lajçak pritet të takohet edhe me kryenegociatorët për dialogun, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin. Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçak në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare. Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
Drafti i Asociacionit
Një javë më parë ekipi menaxhues për hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prezantoi në Bruksel draftin e parë. Ky draft, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare. Sipas draft-statutit që e publikuan të martën mediet në Prishtinë, Asociacioni do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit. Qendra administrative e tij, bazuar në draft-statutin e prezantuar, është Mitrovica e Veriut. Do të ketë Kuvendin e Asociacionit, i zgjedhur nga komunat anëtare, dhe Kuvendi është organi suprem i Asociacionit.
Ky draft statut që e publikuan mediet në Prishtinë, u kundërshtua ashpër edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, “dokumenti i projekt statutit, i hartuar nga Ekipi menaxhues, është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi, është shtet brenda shtetit. Ai shkroi në rrjetet sociale se “një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues”.