Nga Ardit Rada
Dy javë para zgjedhjeve, Sali Berisha ka bërë shpikjen e radhës me të cilën ai vetë i pari beson se e ka kapur kundërshtarin në befasi. Bëhet fjalë për kërkesën e përsëritur për debat në media teksa kundërshtari e ka shpallur atë të vdekur, të pakallaur prej kohësh. Në këto rrethana, injorimi që i bëhet nga Rama dhe kandidatatë e tij bën sens pasi kanë qenë të qartë para se Berisha të sajonte këtë ‘taktikë’. Dhe në fakt, vetë opinion publik nuk duket se ka një interes për debtatet e Sali Berishës që prej dy vitesh ka shkuar në çdo qytet mbi pesë herë me Foltoren e tij dhe së fundmi për fushatë. Shtoji kësaj edhe faktin që e kanë dëgjuar prej 30 vitesh nga mëngjesi në darkë.
Një raport i AMA-s për monitorimin e medias jepte shifra tronditëse deri diku. Them tronditëse sepse kur kanaleve telvizive iu vendoskan metrin, dilka se realiteti nuk është ai që na kanë thënë. Pra, media që anatemohet si e kapur nga Edi Rama, në fakt transmetonte Sali Berishën qindra minuta më shumë në javë sesa vetë kryeministrin, apo çdo politikan tjetër. Pas Berishës renditeshin me radhë aleatët e tij e deri tek Floriana Garo, si njerëzit që shfaqen në TV më shumë, që prej 14 prillit. Kjo është arsyeja e parë përse nuk duhet asnjë debat me koalicionin Berisha-Meta-Dule-Ndoka.
Së dyti, kandidatët e koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ duket se problemin më të madh e kanë me publikun dhe jo me rivalin socialist. Që prej nisjes së fushatës, kryebashkiakë nga Selaniku ne Venecia, tek VIP-a si Rita Ora kanë shprehur publikisht mbështetjen për Erion Veliajn. Së fundmi madje edhe artistë demokratë që dikur i mbushnin sheshet Sali Berishës, si Ermal Mamaqi dhe Çiljeta Xhilaga.
Përballë këtyre mesazheve qëndrojnë kandidatët e Berishës dhe Metës që deri më sot s’ka dalë një personalitet qoftë t’u japë dorën në rrugë. Fjala bie, fushata e Belind Këlliçit duhet të gumëzhinte nga aktorë e regjisorë që protestuan para Teatrit Kombëtar. Në fakt, asnjë zë publik nuk pranon të atashohet. Madje as nga Partitë Popullore Europiane s’ka dalë dikush t’i urojë suksese Sali Berishës.
E kur s’i duan të ngjashmit t’i dëgjojnë e të fitojnë, si do të duan rivalët?