Bayern Munchen fiton titullin e radhës, të 11-n radhazi (33 në total) dhe më emocionuesin e viteve të fundit. Bavarezët triumfuan 1-2 në “frymën e fundit” në Koln, ndërkohë që Dortmundi nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 kundër Mainzit në “Signal Iduna Park”.

Rezultat që solli rokadën në krye të renditjes dhe kalimin e titullit tek ekipi i Thomas Tuchel. Jamal Musiala shënoi një gol fantastik një minutë përpara fundit, duke sjellë shpërthimin e tifozëve të Bayernit.

Kingsley Coman kishte zhbllokuar rezultatin në pjesën e parë, ndërkohë që vendasit barazuan përkohësisht falë penalltisë së Dejan Ljubicic, gol që ndezi shpresën për disa momente në “Signal Iduna Park”.

“Vetëvrasje” e Dortmundit në shtëpi! Në javën e fundit! Përballë Mainzit pa asnjë objektiv, që zhvilloi një ndeshje të madhe dhe u hoqi titullin nga duart verdhezinjve.

Andreas Hanche-Olsen dhe Karim Onisiwo gëzuan tifozët e Mainzit dhe Bayernit me golat e tyre. Në mes një penallti e humbur nga Sebastian Haller. Raphael Guerrero rihapi takimin, Niklas Sule barazoi në sekondat e fundit, por vetëm kaq. Lot në “Iduna Park” dhe festë bavareze në “RheinEnergieStadion”.

Java e fundit e Bundesligas ishte dramatike dhe e çmendur. Djemtë e Tuchel e fituan falë golavarazhit më të mirë se Dortmundi (+54 / +49). Tifozët e Bayernit do e mbajnë mend gjatë, ndërkohë që ata verdhezi do e kenë tepër të vështirë ta harrojnë…