Partia Socialiste ka mbyllur fushatën e saj këtë të Enjte dhe në Kamëz. Kryeministri Edi Rama bashkë me kandidatin e mazhorancës për këtë bashki Rakip Sulin, u pritën me ovacione. Në fjalën e tij, Rama vuri theksin te transformimi historik që sipas tij Rakip Suli ka bërë për Kamzën në këto 4 vite.
“Unë votoj në Tiranë, jo në Kamëz, jam votues në Tironë, por dua të them disa gjëra që janë shumë të rëndësishme jo për ju, as për ata që ndryshimin e Kamzës e kanë prekur çdo ditë, por për shumë të tjerë që është provuar se në bashkinë e Kamzës që është vlera e votës, ju e dini se Kamza është drejtuar nga të tjerët që nga viti 1992 kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste vendore deri në 2019 kur bashkia Kamëz nuk pati garë sepse ata u tërhoqën dhe filluam ta drejtojmë ne me Rakipin. Bashkia Kamëz filloi të drejtohet nga Rakipi me mbështetjen tonë, duke bërë faktikisht një transformim për Kamzën që nuk kishte ndodhur në gjitha vitet e tjera të marra sëbashku. Një transformim se si kjo bashkësi e madhe njerëzish e ardhur nga të gjitha anët, trajtohet në radhë të parë, me respekt, me dashuri dhe me shumë durim për të pasur vëmendjen te çdo familje, te çdo derë.” Kryesocialisti u shpreh se pavarësisht propagandës së vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kamzës, tanimë ata e kanë parë vetë ndryshimin rrënjësor që nga infrastrukturat arsimore e deri te hapësirat argëtuese për fëmijët.
“Rakipi përmendi ato politikat sociale të kamzës, janë shembullore, janë kuptimplota për atë që Rakipi përfaqëson. Pastaj kujdesi për fëmijët, ajo që gjithmonë më ka shqetësuar thellë kur kam vajtur në Kamëz, kur ne kemi pasur gjithmonë e më tepër njerëz që na kanë dëgjuar, por jo një shumicë që na kanë votuar, sa herë kam ardh në Kamëz ishte një vend ku nuk kishte vend për fëmijët, për vajzat dhe djemtë, nxënëse dhe nxënës sepse s’kishte ansjë infrastrukturë arsimore, asnjë hapësirë sportive, asnjë adresë për nënat që të çonin fëmijët e tyre dhe gjithmonë kam menduar se si i bëhet që të arrijmë të komunikojmë me ata që nuk janë thjesht votues, por janë prindër, që duhet ta shohin votën e tyre si një investim për fëmijët e tyre, jo në kuptimin abstrakt e ardhmja, por në kuptimin konkret.
Ka qenë e pamundur sepse politika e përçarjes dhe urrejtjes, i gjithë sulmi propagandistik edhe kundër meje duke thënë që Edi Rama nuk ju do, e bënin shumë të vështirë t’i mendonin gjërat pa tifozllik, pa ngjyra dhe ky moment erdhi dhe fati e deshi që ata që Kamzën e mbajtën për fyti të dilnin nga rruga normale e marrëdhënies me qytetarët dhe të braktisnin procesin zgjedhor. Dhe, në atë moment ndodhi ajo gjëja që sot na ka dhënë mundësinë që Kamza të flasë vetë si pasqyra domethënëse e një ndryshimi historik. Kështu ndodh kur ne drejtojmë bashkitë sepse ne kemi një tjetër vizion, qasje për atë që është qeverisja vendore. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe sepse kjo është një provë e stërdhënë në shumë e shumë vite, edhe në Tropojë deri në vitin 2019 ne kurrë nuk e kemi patur drejtimin e bashkisë.” Rama u shpreh me bindje për fitoren në këtë bashki më 14 maj.
“Puna më e madhe dhe vepra më historike e Rakip Sulit do të jetë në 14 Maj sepse 14 Maji do jetë ndarja e Kamzës me urrejtjen, kapërcimi nga vetë komuniteti i Kamzës i një ndasie të hekurt, të pashpirt, të pabesë, e një ndasie e cila është ushqyer nga nevoja për pushtet e një grushti njerëzish që e morën peng PD që në krye të herës.”