Tregtia e jashtme është ngadalësuar në katër e muajt e parë të vitit. Në muajin prill rënia ishte edhe më e fortë për eksportet shqiptare me gati 20%.

Edhe importet pësuan gjithashtu rënie me rreth 4%, ndërsa deficiti tregtar vijon të zgjerohet. Tashmë tregtia e jashtme ka kaluar në territor negativ në krahasim me vitin e kaluar.
INSTAT shpjegon se në rënien e fortë të eksporteve, ka ndikuar dhe zhvlerësimi i euros, pasi 75% të eksporteve shqiptare shkojnë drejt BE.

Tkurrjen më të fortë në eksporte e kanë materialet e ndërtimit dhe metalet, ndikuar nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndjekur nga grupi i mineraleve, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Tkurrje ka pasur edhe për grupin e tekstileve dhe këpucëve.
Fasonët ishin ndër të parët që raportuan goditjen e fortë nga zhvlerësimi i euros, pasi kontratat e tyre të nënshkruara përpara një viti përfshinin një tjetër nivel kursi.
Edhe grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit që pati zgjerim të fortë në tremujor, ka ardhur në ngadalësim gjatë prillit. Eksporti i produkteve ushqimore ndërkohë pati një rritje anemike me vetëm 0.2%.
Eksportet, gjatë këtij katërmujori janë ulur me -3,4 %, krahasuar me një vit më parë.
Në këto katër muaj Shqipëria ka dërguar më pak mallra drejt Italisë, Gjermanisë dhe Kinës, ndërsa kemi pasur rritje me Greqinë, Kosovën dhe Spanjën.