Teksa e gjithë harta e Shqipërisë është kthyer në ngjyrën rozë të socialistëve, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka arritur të “gllabërojë” gjashtë bashki të vogla.

Bashkia e vetme që bën diferencë dhe i jep rëndësi e peshë Berishës në këto zgjedhje, është ajo e Himarës.

Kjo për shkak të gjithë zhurmës që është bërë ditët e fundit në Himarë, ku u arrestua kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Alfred Beleri, për shitblerje votash dhe siç duket kjo fitore e vetme me rëndësi për Berishën erdhi nga ideologjia që kandidati shfaqi gjatë fushtës zgjedhore për helenizimin e qytetit.

“Kryetari” i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, këtë herë nuk ia doli të fitojë as bashkinë e vendit të lindjes, Tropojën, e cila u fitua me një diferencë të konsiderueshme nga kandidati i PS-së Rexh Byberi. Menjëherë pas fitores tropojanët ia morën valles e kërcyen me lodra.

Sa i përket Shkodrës në të cilën opozita kishte shpresë për fitore, rezultati është drejt përfundimit dhe demokratët duket se nuk kanë shumë shpresë për fitore.

Teksa po numërohen kutitë e fundit, Benet Beci ka një diferencë të thellë prej 10 mijë votash para kandidatit të “BF” Bardh Spahia.