“Cërriku është kthyer një nga bashkitë model për gjetjet innvative”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ku bashkë me Kryeministrin Edi Rama kërkuan mbështetjen për rikandidimin e Andis Sallës më 14 maj.
Numri dy i socialistëve deklaroi se Salla ka treguar se di të punojë, duke ndërhyrë në çdo lagje. “Në fakt në 14 maj ne kemi zgjedhjet vendore dhe patjetër Partia Socialiste, Kryesia e saj dhe të gjithë ne ju sollëm përsëri djalin tuaj që ka merituar respektin e çdo cërrikasi me punën që ka bërë. Andi vërtet ishte i ri, por në 4-vjeçarin e parë tregoi që di të punojë, të flasë pak dhe të punojë shumë. Jo më kot ka tërhequr vëmendjen dhe është bërë një nga bashkitë model për gjetjet inovative, për trajtimin e mbetjeve dhe gjetjet inovative që ai i ka implementuar për herë të parë në Cërrik. Kur ka njerëz të punës, njerëz të mençur, me vizion, këtu mund të bëhen punë shumë të bukura”, tha ai.
Numri dy I socialistëve u shpreh se Andis Salla nuk është vetëm, pork a mbështetjen e qeverisë dhe të ekipit të Partisë Socialiste. “Andi ka një ekip, por mbi të gjitha ka nga mbrapa Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama që me vepra e ka treguar që ka ditur të transformojë këtë bashki. Ju e dini sesi ka qenë 10 apo 12 vjet më parë, se në çfarë gjendje ka qenë bashkia Cërrik. Ju e shikoni sot, qyteti nuk ka më asnjë bllok të pa asfaltuar dhe të pa urbanizuar. Falë punës së këtij djali, mirëadministrimit të bashkisë, por patjetër edhe qeverisë së Edi Ramës. Mirëadaministrimi i taksave, bërja e projekteve dhe lidhja, sinergjia mes bashkisë me qeverinë qendrore bën të mundur të vazhdojnë këto vepra të mëdha transformuese në Cërrik. Kjo ka ndodhur dhe prandaj këtë binom bashki – qeveri ne nuk do ta shkëpusim edhe në 14 maj”, theksoi Gjiknuri.
Duke u ndalur tek alternative përballë, Gjiknuri tha se kandidati tjetër nuk ka as program dhe nuk ofron asnjë garanci për qytetarët e Belshit. “Nga ana tjetër kundërshtarët tanë këtu nuk përfaqësojnë asgjë. E vetmja gjë që ka bërë ai, që e dini shumë mirë ju, vetëm një kinema që u dogj dhe ajo, dhe pastaj u zhduk. E vetmja gjë që bëri ish kryetari i bashkisë të cilit njësoj si ata dy si Saliu me Ilir Metën, siç kanë ricikluar veten ata dy, e nxorën nga arkiva e historisë për ta sjellë prapë në bashkinë e Cërrikut për ta kandiduar me Andin tonë. S’kanë as program, s’kanë as garanci dhe mbi të gjitha kanë një të kaluar pa asnjë provë që kanë bërë diçka për këtë qytet apo të tjerët për qarkun e Elbasanit. Prandaj them që në 14 maj ne zgjedhjen e kemi shumë të pastër. Kemi Andin tonë, kemi Cërrikun, kemi ecjen përpara”, tha Gjiknuri.
Numri dy I socialistëve nënvizoi se vota për PS është dhe konfirmim për vijimësinë e rritjes së pagave dhe të pensioneve. “Rritja e pagave do të kontribuojë dhe në rritjen e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve. Me 14 maj kjo është një votë edhe për të ardhmen e pensionistëve të cilët meritojnë vlerësimin më të madh për sakrificat që kanë kaluar dhe më vjen mirë dhe dua ta përgëzoj kryeministrin Rama për shpërblimet që ka dhënë muajt e fundit dhe për kthimin e vëmendjes tek shtresat më në nevojë. Kjo na bën krenarë si socialistë dhe jam i bindur që në 14 maj ne do të japim mesazhin e duhur edhe nëpërmjet votës të gjithë pensionistët do dinë të vlerësojnë ato që kemi bërë. Përpara Andin, mbrapa lërini fosilet e Tiranës”, shtoi më tej Gjiknuri, njëherësh drejtues politik i PS për qarkun Elbasan.