Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi akuzohet se i mori para një çifti me premtimin se do të siguronte pension invaliditeti.
Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Etligert Pilugriu, banues në Elbasan, me detyrë teknik laboratori në Spitalin Rajonal Elbasan.
NJOFTIMI I POLICISE
I mori para një çifti bashkëshortësh, me pretendimin se do t’iu siguronte në kundërshtim me ligjin, pension të invaliditetit, vihet në pranga 37-vjeçari, me detyrë teknik laboratori në spitalin e Elbasanit. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të dy bashkëshortëve, për një rast korrupsioni, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bonusi”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:
-E. P., 37 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë teknik laboratori në Spitalin Rajonal Elbasan.
Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se 37-vjeçari iu ka marrë këtyre shtetasve (bashkëshortë), shumën 100 000 lekë, me pretendimin se do t’iu siguronte në kundërshtim me ligjin, dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e pensionit të invaliditetit (KMCAP). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.