Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë është diskutuar për projektligjin e rritjes së rrogave për të gjithë administratën shtetërore, me përjashtim të pagave të ministrave e deputetëve.

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka replikuar me ministren e Financave Delina Ibrahimaj për këtë projektligj duke e pyetur përse janë përjashtuar nga ky ligj deputetët dhe ministrat, në një kohë kur një këshilltar e drejtor në Ministri do të paguhet më shumë se vetë titullari i instritucionit.

Deputeti Agron Shehaj: Nga propozimi i qeverisë për rritjen e pagave ju keni përjashtuar ministrat dhe deputetët. Me këtë që keni bërë ju, drejtori i rërgjithshëm, zonja Dhëmbi, do ketë një rrogë më të lartë se rrogën që merrni ju? Është e vërtetë?

Ministrja e Financave, Ibrahimaj: Në fakt po. Propozimi që ne kemi sjellë për shqyrtim në Kuvend nuk parashikon një rritje të pagave për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetët. Ndërkohë që arsyeja pse kemi vendosur të veprojmë në këtë formë është sepse donim si fillim të siguroheshim që të gjithë kategoritë e tjera do përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të rritjes dhe reformës së pagave do të sillnim një nismë për rishikimin e koeficentëve dhe për anëtarët e kabinetit dhe deputetët.

Deputeti Agron Shehaj: Ju po thoni që rrogat e ministrave dhe të deputetëve janë më pak të rëndësishme në raport me rrogat e gjithë punonjësve të tjerë të administratës. Ju duket normale që një drejtoreshë në Ministri, një këshilltar i një ministre, të kenë një rrogë më të lartë se rroga juaj apo rroga e deputetëve?

Ministrja e Financave, Ibrahimaj: Qëllimi nuk është vletrësimi që ne kemi mbi përgjegjësinë dhe punën e ministrave apo deputetëve, qëllimi ka qenë që reforma të përfundonte dhe më pas të përcaktohej paga e ministrave dhe deputetëve. Siç e kemi shpjeguar, reforma do të implementohet me dy hapa. Hapi i parë ka filluar ndërskohë që hapi i dytë është gjatë vitit të ardhshëm. Me përfundimin e gjithë reformës atëherë ne do të sjellim një propozim ku do të përcaktohen dhe rritja e pagave për deputetët dhe ministrat që padyshim kanë të gjitha detyrat e tyre kushtetuese. Është çështje prioriteti dhe prioriteti i jepet reformës tërësore të pagave.

Deputeti Agron Shehaj: Ju po thoni që do prisni njëherë të mbarojë reforma të rriten rrogat për të gjithë dhe pastaj do merremi me deputetët dhe ministrat. Ju po thoni që rritja e rrogave duke mos ndryshuar koeficientin le të themi prej 1 mijë Euro në muaj për 140 deputetë edhe për ministrat rrezikon të vendosë në dyshim apo të bëjë të parealizueshme rritjen e rrogave të gjithë të tjerëve?

Ministrja e Financave, Ibrahimaj: Nuk po them këtë. Propozimi që ne kemi sjellë është i mirëmenduar. Asnjëherë nuk do kishim sjellë një propozim i cili nuk ka hapësira buxhetore për t’u realizuar. Kostoja e pagave të ministrave dhe deputetëve nuk është një kosto e cila ndikon në ushtrimin e kryer për alokimin e buxhetit për gjithë reformën. Ajo që po them është që për ne ka prioritet zbatimi i reformës tërësore të pagave dhe me përfundimin e zbatimit të reformës ne do të sjellim propozimin dhe për deputetët dhe ministrat.

Deputeti Agron Shehaj: Nuk po kuptoj si e pengon zbatimin. Ju vini këtu në këtë komision dhe u kërkoni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të aprovojnë rritjen e rrogës për të gjithë përveç vetes së tyre. Ju po thoni që rrogat tona dhe të gjithë deputetëve janë të parëndësishme, mund të marrin më pak se një drejtor në Ministrinë tuaj, më pak se një këshilltar i juaji kështu që ju po thoni…mesa kuptoj unë kjo është të vini këtu dhe të ofendoni të gjithë. Mos vallë kjo është thjesht një tallje, një farsë e Kryeministrit dhe qeverisë, thjesht për të treguar që ju jeni aq të ndjeshëm për popullin edhe për administratën dhe përbuzni në njëfarë mënyre punën e deputetëve apo të ministrave sepse në fund të fundit për çfarë t’ua rrisim rrogat ministrave e deputetëve kur ata janë të korruptuar, ata rrogën as nuk e shohin fare. Po ju keni nevojë zonja ministre që rroga juaj të jetë sa ju takon? Keni nevojë? E keni ngritur këtë shqetësim në Këshillin e Ministrave? Me 1 milionë e 750 mijë Lekë nuk mjaftojnë, sepse nëse e meriton këshilltari juaj që t’i rritet rroga pse nuk e meritoni ju? Sepse qytetari i thjeshtë mund të mendojë tani që ju s’keni nevojë për rritje rroge zonja ministre? Keni nevojë? Ju takon juve rritja e rrogës apo jeni të gatshëm ta sakrifikoni atë për të mirën e popullit?