U zhvillua në Tiranë takimi i 14-të i nënkomitetit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian – Shqipëri për tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërinë përfshirë mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj, kurse delegacioni i Komisionit Evropian kryesohej nga Zbigniew Zach, DG NEAR.

Në fjalën e tij hyrëse, zv/ministri Yzeiraj shprehu vendosmërinë dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, si një objektiv i rëndësishëm strategjik, duke u fokusuar në arritjet e institucioneve që raportojnë në nënkomitet.

Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare raportuan mbi ecurinë dhe zhvillimet e kryera në këtë periudhë, veçanërisht në fushat e konkurrueshmërisë; e drejta e pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare; prokurimi publik; e drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime; mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; legjislacioni i kompanive, kontabiliteti dhe auditimi; shërbimet financiare, përfshirë sektorët bankar dhe jobankar.