Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në Lagjen 12, në rrugët dhe rrugicat që lidhin zonën mes Freskut dhe Dajtit nga ku tha se për Bashkinë e Tiranës kryefjalë është vetëm puna.
“Ka fushatë, s’ka fushatë, ka pushime, s’ka pushime, puna duhet të vijojë dhe Tirana njeh vetëm një fushatë: është fushata e punës. Këto fushatat e tjera shkojnë e vijnë, pushimet shkojnë e vijnë, fundjavat shkojnë e vijnë, Viti i Ri shkon e vjen, por ama fushata e përditshme e punës vijon në Tiranë. Për të gjithë ata që thoshin se ky është asfalt elektoral, ne ende s’kemi mbaruar me lotin e parë që filluam këtë vit. Sigurisht, ca ditë të vonon shiu dhe koha e keqe, por lajmërimi për qytetarët është se loti i dytë i rrugëve kapilare, i shtrimit me asfalt është dy herë më i madh sesa loti i parë”, tha ai.
Gjatë verës bashkia e Tiranës do të vijojë më ndërhyrjet në cdo zonë të kryeqytetit.
“Do të shfrytëzojmë kohën kur njerëzit janë me pushime, kur ka më pak trafik, në mënyrë që mjetet e rënda të punojnë, sigurisht edhe me mirëkuptimin e jashtëzakonshëm nga banorët, do jetë më e kollajtë për të hyrë nëpër cepat e mbetur pa ndërhyrje nga dora e parë. Dua të falenderoj të gjithë banorët për mirëkuptimin. Ka qenë një ndër rrugët që ka pasur më shumë mirëkuptim. Do doja të vijonim me këtë mirëkuptim, në mënyrë që sapo të mbarojmë këtu, të transferohemi menjëherë me këto mjete te rruga tjetër”, tha Veliaj.
Pas ndërhyrjeve në infrastrukturën rrugore do të vijohet puna për të shtuar numrin e shkollave të rikonstruktuara në Tiranë.
“Një pjesë e madhe e punëve të verës për bashkinë do jenë institucionet arsimore, që më pas shtatori të na gjejë realisht me një kontingjent edhe më të madh shkollash. Pra, 40 shkolla të reja i hapëm, por kemi të tjera në proces. Mezi pres që ta kemi këtë një verë pune. Për sa kohë njerëzit na dhanë kaq shumë besim me votën e tyre, duhet t’u provojmë që nuk ishte për fushatë. Është diçka që ne e bëjmë përditë dhe për ne përditë është fushatë”, shtoi ai.