Arsimi i kandidatëve për kryebashkiak është kthyer në një nga temat e forta të fushatës.
Veçanërisht mes dy kandidatëve kryesorë, Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit.
Përtej retorikës politike, Top Channel verifikoi më tej në lidhje me këtë çështje të gjitha faktet e parashtruara, duke pyetur institucionet arsimore si dhe duke ju kërkuar vetë kandidatëve të dhëna për diplomat e tyre.
Rivaliteti i Belos në garën e 14 majit, është me Erion Veliajn, i cili kërkon të fitojë mandatin e tretë si kryetar i bashkisë së Tiranës, e për koicidencë të dy kanë kryer arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veliaj ka ndjekur studimet e larta për ‘bachelor of arts” në Michigan në “Grand Valley State University”, e më pas është diplomuar në ciklin e dytë të studimeve master për politikat europiane në Angli. Këto janë diplomat e tij, e vëna në dispozicion pas kërkesës së Top Channel.
Ndryshe nga Veliaj, Belind Këlliçi, nuk ju përgjigj ftesës zyrtare së Top Channel për të treguar diplomat por zëdhënësja e fushatës së tij Silvi Bardhi tha se kandidati për Bashkinë e Tiranës e ka ezauruar përgjigjen e tij në të gjitha mediat. Vetë Belindi në intervista përdor si argument shkresën e Harry Fultz që informon se ka kryer 4 vite nga cikli 5 vjeçar që duhet të përfundonte.
“Në përfundim të klasës së 12 që është dhe detyrimi për t’u futur në universitet në Amerikë, në përgjigje të tij për studime të mëtejshme në SHBA, pajiset nga shkolla me dokumentet e mëposhtme: raportin shkollor me rezultatet përkatëse, skelet kurrikulën dhe vërtetimin e zhvillimit të gjuhës angleze të 70% të programeve mësimore. Për dijeninë tuaj, kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar në periudhën 1997-2005”, tha Këlliçi.
Por a është e ligjshme kjo praktikë, meqenëse Belind Këlliçi nuk është rasti i parë e i vetëm? Faktoje, e njohur si media e fakteve, ka pyetur Universitetin në MaryLand ku Belind Këllici ka studiuar për shkenca menaxhimi nga 2005 deri në 2008. Në përgjigjen ndaj Faktoje-s, ne lidhje me procedurën e pranimit për studentët e huaj në ciklin bachelor, specifikohet se aplikanti duhet të dorëzojë disa dokumenta ndër të cilat:
“Të dhënat akademike zyrtare të noterizuara të shkollës së mesme që tregojnë notat e marra, fletët vjetore të notave, certifikatat e provimit dhe certifikatat e përfundimit siç zbatohen për sistemin arsimor në vendin e origjinës së studentit. Të dhënat duhet të merren për secilin nga katër vitet e fundit të shkollës së mesme ose pikët e nivelit të avancuar”…
Pra Universiteti Coppin kërkon dokumente për katër vitet e gjimnazit, por në të njëjtën kohë në rastin e Belindit që ka qenë i regjistruar në gjimnaz profesional 5-vjeçar kërkon të zbatohet edhe sistemi arsimor shqiptar. Këtu ngrihet kontradikta dhe shtohen pikëpyetjet. A ka ndjekur Belind Këlliçi rregullat e sistemit arsimor të vendit të origjinës? Çfarë certifikate të përfundimit të shkollës së mesme ka dorëzuar? A është i mjaftueshëm veç vërtetimi me notat e 4 viteve? Ministria e Arsimit në shkresën që i ka drejtuar Top Channel deklaron se Belind Këlliçi nuk ka përfunduar shkollën e mesme.
“Cikli i studimeve të arsimit të mesëm të kryer nga z.Këlliçi, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, konsiderohet i papërfunduar, pasi dokumenti i përfundimit të shkollës së mesme është diploma e maturës që personi nuk e disponon. Largimi drejt SHBA ka qenë individual dhe pranimi/ njëvlershmëria e dëftesave të 4 viteve është kompetencë e shtetit/universitetit që e ka pranuar”, sipas Ministrisë së Arsimit.
Për të marr diplomën, Këlliçi duhet të kishte përfunduar në vitin 2005-2006 ciklin 5-vjeçar të gjimnazit Harry Fultz, në atë vit kur është krijuar edhe matura shtetërore, e cila realizon provimet e pjekurisë në përfundim të arsimit të mesëm 4 dhe 5-vjeçar, që është detyrim për të marr diplomën. Por pa kartonin e këtij dokumenti vendimtar për arsimimin e mëtejshëm, kandidati i rithemelimit në atë kohë zgjodhi të largohej drejt SHBA-së. Ndërkohë, kandidatët e tjerë sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit kanë marrë diplomë gjimnazi dhe rezultojnë kalues në provimet e pjekurisë.
Top Channel