Nomadët digjitalë kanë tashmë një terren të sigurt ligjor për mbarëvajtjen e punës së tyre në Shqipëri.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, i miratuar sot në komisionin përgjegjës parlamentar për Ekonominë dhe Financat siguron një liberalizim të plotë për çështjen e taksave.
Punonjësit lëvizës digjitalë nuk do të konsiderohen rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë për një periudhë prej 12 muajsh, parakusht që përkthehet në përjashtimin nga taksat për një vit.
Punonjësit lëvizës digjitalë pajisen me leje unike, bazuar në ligjin “Për të huajt” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”
Sipas Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Edona Bilali: ” Kjo paketë incentivizuese ndaj punonjësve lëvizës digjitalë është një kontribut i shtuar për reformat e digjitalizimit në Shqipëri dhe vjen si bashkëkontribut me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Një mjedis i tillë favorizues e kthen Shqipërinë në një terren shumë tërheqës për këtë kategori ekspertësh digjitalë që sa vjen e shtohet pas pandemisë.”
Ndryshimet e ligjit aktual nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve” përcjellin një harmonizim të aktualitetit shqiptar me përvojën e vendeve të rajonit dhe BE-së. Në themel të konsultimeve ishte harmonizimi me prioritetet e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, për vitet 2021-2027 dhe Strategjisë Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin 2017 – 2022.
Një akomodim i përshtatshëm i nomadëve digjitalë në Shqipëri,
si në kushtet e punës, ashtu edhe në ato të jetës së përditshme, nuk është avantazhim vetëm për ta. Periudha e akomodimit të përkohshëm të tyre përkthehet dhe në rritje të efikasitetit të zhvillimit të startup-eve, rritjes së punësimit të të rinjve shqiptarë dhe rritjes së të ardhurave për ekonominë e komunitetit, ku nomadët digjitalë strehohen.
Të ardhurat mesatare në vit të nomadëve digjitalë variojnë në mënyrë të ndjeshme, por afro 35 % e tyre marrin nga 50 mijë dollarë – 100 mijë dollarë në vit.
Home Lajme Aktualitet Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miraton ndryshimet ligjore që lehtësojnë...