Nga Bajram Begaj*
Liria është sakrificë dhe fatkeqësisht ne shqiptarëve na është dashur të sakrifikojmë pafund – si atëherë kur armiku përballë fliste gjuhën e pushtuesit, ashtu edhe kur armiku ishte vetë gjaku ynë.
Gjysëm shekulli më parë, Revolta e Spaçit ndriçoi errësirën e imponuar nga diktatura komuniste dhe ngriti lartë flamurin kuq e zi të vizatuar me shqiponjën pa yllin komunist mbi kokë dhe thirrjet „Poshtë Komunizmi” dhe “Rroftë Shqipëria e Lirë”.
Në kushtet e terrorit të jashtëzakonshëm, njerëzit më të shtypur nga tirania gjetën guximin dhe forcën e pashtershme të ngrinin krye kundër regjimit dhe të dëshmonin se aspiratat e shqiptarëve për liri e demokraci nuk ishin shuar.
Pal Zefi
Skënder Daja
Dervish Bejko
Hajri Pashai
Dashnor Kazazi
Jorgji Pepa
janë vetëm disa nga ata emra që e bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe mbas vdekjes, shpresa nuk vdes!
Ata janë copëza të një mozaiku njerëzor – të shkrimtarëve që nuk arritën të shkruajnë librat e tyre; të mjekëve që nuk shëruan dot pacientët e tyre; të bujqve që nuk iu shërbyen dot tokës, të prindërve që nuk mundën të gëzonin rritjen e fëmijëve të tyre, por u tretën nga prangat që iu shtrëngonin duart.
Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë.
Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme, që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne.
50 vite me vonë dhe 30 vite në tranzicion; ndërsa përkujtojmë këtë moment me rëndësi thelbësore për kombin tonë, le të ripërkushtohemi ndaj idealeve që motivuan ata individë të guximshëm ne këtë vend në Spaç.
Le të përpiqemi të konsolidojmë një shoqëri që ka në themel lirinë e individit, të mendimit, shprehjes dhe besimit – një shoqëri ku çdo qytetar mund të kontribuojë në përmirësimin e saj dhe të ardhmes së ndritur të kombit tonë, pa frikë nga ndëshkimi.
Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi, dhembshurie dhe ndjeshmërie, duke e ditur se nëpërmjet këtyre lidhjeve shpirtërore ne mund të krijojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Por ta fillojmë këtë duke u bërë të vetëdijshëm për të shkuarën tonë e duke ndarë moralisht të mirën nga e keqja. Çka është më e rendësishme të ndërtojmë të ardhmen, duke kërkuar falje për gabimet e të shkuarës, e duke u shkëptur tërësisht nga hija e periudhës më të errët të kombit tonë.
Andaj dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë martirët e kësaj revolte. Në këtë ditë të shënjuar historike, të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se, pavarësisht gjithë vuajtjes që kanë përjetuar, ata përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë, e për gjithë betejat tuaja, shoqëria jonë ju ka një borxh të madh.
* Fjala Presidentit të Republikës e mbajtur në 50 vjetorin e Revoltës se Spaçit