Fermerët kanë shtuar këtë vit, sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe dhe po shtojnë eksportet e frutit të kuq edhe në vendet e BE-së.
Në qarkun e Fierit, prodhimi i luleshtrydheve pritet të arrijë mbi 6000 tonë, pasi edhe sipërfaqja e mbjellë është në rritje. Qindra fermerë në këtë zonë merren me prodhimin e luleshtrydhes, ndërsa mijëra tonë eksportohen.
Specialistët e bujqësisë shprehen se luleshtrydhet “Made in Albania”, falë cilësisë natyrore, po kërkohen gjithnjë e më shumë, jo vetëm nga konsumatorët vendas, por edhe në tregjet e rajonit dhe BE-së.
Krahasuar me një vit më parë, numri i sipërfaqes së mbjellë me luleshtrydhe është rritur me mbi 20%, duke llogaritur këtu kultivimin e tyre në serra vertikale me kate, ndërkohë që pjesa më e madhe e prodhimit shkon për eksport.
Fermerët në Frakull dhe Kafaraj, ku kultivohet ekskluzivisht luleshtrydhja, shprehen se ky vit ishte i mbarë për prodhimin dhe eksportin e luleshtrydhes. Gjithashtu thonë ata, kostot për plehërimin e luleshtrydheve, si kulturat e tjera, janë përfshirë tashmë në skemën e subvencioneve nga qeveria, çka ka lehtësuar shpenzimet për kultivimin.
Fermerët po e shesin produktin në këtë kohë me 1000 lekë arkën, ndërsa në muajt në vijim, çmimi pritet të përgjysmohet.
“Po të shikojmë këtë sezon, kemi pasur eksporte si jashtë, por edhe në tregun brenda, me çmime të kënaqshme. Besoj se ky vit do të jetë i mbarë. Kryesisht kemi eksportuar në Itali, Poloni, Rumani”, shprehen feremrët në Kafaraj.
Sipas tyre, lufta në Ukrainë ka bërë që Rusia të mos renditet më në listën e vendeve ku luleshtrydhja e zonës së Kafarajt eksportohej masivisht.