“Sezoni i pushimeve po fillon dhe përveç Kroacisë dhe Malit të Zi, një tjetër destinacion po bëhet gjithnjë e më i pëlqyer nga qytetarët e Bosnjes – Shqipëria”, shkruajnë mediat e Sarajevës.

“Bumi turistik në Shqipëri vazhdon prej disa vitesh dhe deti i pastër, mikpritja e këndshme dhe çmimet e përballueshme tërheqin turistë nga e gjithë Evropa. Mes turistëve që po shkojnë gjithnjë e më shumë në Shqipëri janë edhe shtetas të Bosnjës. Edhe pse udhëtimi drejt këtij vendi ballkanik është shumë më i gjatë se në Kroaci dhe Mal të Zi, shumë njerëz kanë vlerësuar se ky destinacion është më i vlefshëm për ta.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), vetëm në vitin 2022 në Shqipëri erdhën 6.7 milionë turistë dhe në vitin aktual priten edhe më shumë ardhje. Edhe pse ky është një kërcim i madh për këtë vend, qytetarët e Bosnjës mund të gëzohen për faktin se çmimet nuk kanë ndryshuar shumë për shkak të këtij suksesi të madh të vendit në detin Adriatik.

Destinacioni më i pëlqyer në Shqipëri për turistët nga vendi ynë është padyshim Durrësi. Ky vend ndodhet në perëndim të kryeqytetit Tiranë, dhe distanca nga kryeqyteti i Bosnjës është rreth 400 kilometra. Udhëtimi zgjaat pak më shumë se tetë orë, duke përfshirë ndalesat në kufi.

Ajo që është sigurisht më me interes për turistët potencialë janë çmimet. Duke filluar nga parkimi, ky është një avantazh i madh i Durrësit. Ky qytet bregdetar ka shumë vende ku mund të lini kafshën tuaj metalike falas, dhe një numër i madh akomodimesh private e ofrojnë këtë privilegj në ofertën e tyre. Sigurisht, nëse zgjidhni një hotel, përfshihet edhe një vend parkimi falas.

Shqipëria nuk ka infrastrukturën “peshave të rënda turistike (Kroaci e Mali i Zi), por është padyshim një opsion i mirë, sidomos për ata me xhepa të cekët”, mbyllet një nga shkrimet promovuese.