Një tjetër krisje mes PSG dhe Leo Messit.
Lamtumira në fund të sezonit tanimë duket e sigurt, dhe argjentinasi ka vendosur të ndërpresë totalisht marëdhëniet në këtë fundsezoni ku parizienët duhet ende të fitojnë kampionatin, ku kanë reduktuar në 5 pikë avantazhin ndaj Marsejës së vendit të dytë.
Argjentinasi pas disfatës me Lorient ka fluturuar drejt Arabisë Saudite duke injoruar krejtësisht stërvitjen e së hënës që ishte programuar si dënim për skuadrën nga klubi dhe Galtier pas figures së keqe që bënë të dielën. Messi nuk ka ndryshuar planet e tij, dhe siç informon e përditëshmja L’Equipe nuk ka marrë as mundimin për të lajmëruar klubin. I drejtëpërdrejtë titulli në faqen e parë të të përditëshmes prestigjioze, “Mashtrimi”.

Argjentinasi ka zgjedhur të mos i anullojë impenjimet e tij në Arabi ku është një ndër ambasadorët e Federatës së Futbollit në Riyad, për të promovuar kandidaturën e tyre për Botërorin e 2030, çka ka irrituar drejtuesit në Paris. Në qershor rrugët e Messit dhe PSG janë të destinuara të ndahen përfundimisht, argjentinasit i skadon kontrata që vështirë se do të mund të rinovohet me dëshirën e të dyja palëve.
Messi nuk u ambientua kurrë nën hijen e Kullës Eiffel dhe po shtyn për një rikthim te Barcelona, ndërsa klubi ka vendosur ti besojë gjithcka Mbappe, si në fushë ashtu edhe në aspektin e komunikimit. Pas dy viteve jo dhe aq të bukur Messi është gati të bëjë valixhet për tu rikthyer në shtëpi.
I ati i tij Jorge ka intensifikuar kontaktet me drejtuesit blaugrana për të gjetur një akord ekonomik duke parë kufizimet e forta financiare që i janë imponuar Barcelonës nga Liga spanjolle.