Dy ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ndodhet në juglindje në një tour takimesh me banorët e gjithë qyteteve, ku këtë mëngjes ka zgjedhur të mbjellë pemë në Qafën e Qarrit në Kolonjë, në afërsi të njërës nga veprat e artit në rrugën e re Korçë – Ersekë.

Gjatë fjalimit të tij Rama ka vlerësuar së tepërmi kryetarin e bashkisë Kolonjë Erion Isai, duke u shprehur se pikërisht ky artist i ka sjellë një ritëm dhe jetë tjetër Kolonjës, çka e ka plotësisht te merituar mandatin e tij të dytë në krye të institucionit të pushtetit lokal.

Rama ka vijuar me tej me një ultimatum, duke u shprehur se kjo është hera e fundit që ai vjen në Kolonjë dhe rruga nuk është ende e hapur 100%, çka pritet që brenda stinës së verës i gjithë aksi rrugor të jetë i përfunduar.

Kjo është hera e 6 brenda 3 viteve që Rama prek Kolonjën, ku shpesh herë nuk ka mohuar dashurinë e tij për këtë trevë, duke e përkthyer dhe në investime konkrete.