Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se Shqipëria dhe Sllovenia do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Gjatë vizitës në Slloveni ku u takua me homologun slloven Marjan Ŝarec, ministri Peleshi theksoi se “Sllovenia është një partnere e Shqipërisë dhe një mbështetëse e vendit tonë në rrugën e gjatë të integrimit në Bashkimin Europian”.
Në bisedën mes dy ministrave u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Sllovenisë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në konferencën e përbashkët për mediet, Peleshi theksoi se e njohu homologun e tij Ŝarec mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, mbi reformat e realizuara si dhe angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare drejt përmbushjes së objektivit madhor atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.Duke vënë theksin tek roli i Shqipërisë në favor të fqinjësisë së mirë, prosperitetit dhe promovimit të vlerave demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ministri Peleshi tha se “kërkova nga homologu slloven të vijonte mbështetjen në përfshirjen e Kosovës në nisma rajonale, në të cilat ajo mund të japë kontributin e saj dhe të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal”.
Peleshi e njohu ministrin Ŝarec edhe me reformat dhe vëmendjen e veçantë të qeverisë shqiptare për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu investime në fushën e mbrojtjes kibernetike, në industrinë ushtarake si dhe përmirësimin e ndjeshëm të trajtimit financiar të ushtarakëve.
“Një vëmendje të veçantë po i kushtohet reformave në fushën e edukimit dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura, për të cilat personalisht besoj fort se një investim i tillë sot do të sjellë një të ardhme më të ndritur dhe cilësore për ushtrinë shqiptare”, u shpreh Peleshi.
Ministrat e Shqipërisë dhe Sllovenisë shkëmbyem ide dhe ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe angazhuan stafet respektive në hartimin dhe implementimin konkret të këtyre ideve.