Leonard Veizi

Në fillim të vitin 2007, u dha lajmi që në Tiranë do të zbarkonte më i famshmi britanik grup i Hard-Rockut, “Deep Purple”, me në krye solistin e jashtëzakonshëm Ian Gilan. Padyshim “Deep Purple” nuk ishte në ditët e tij më të mira. Kitaristi i jashtëzakonshëm Riçi Blakmor nuk ishte pjesë e gripit dhe as tastjeristi me famë Xhon Lord. Për më tepër Ian Gilan ishte 62 vjeç. Kam qenë dhe vazhdoj të jem idhtar i këtij kompleksi muzikor, aq sa shumë më herët se kaq mendoja se po të vinte ky grup hard-rroku në Tiranë, do të blija një biletë me çdo çmim, mjaft që ta ndiqja drejtpërdrejt.

Grupi mbërriti në Tiranë. Isha i bindur se grupi në fjalë, i prenotuar në arena të përbotshme, do të kishte një biletë me një kosto të madhe, për më tepër që koncerti jepej në një sallë të mbyllur si ai i Pallatit të Kongreseve kapaciteti i të cilit është 2200 vende. Por çuditërisht sigurova një biletë prej 4 mijë lekësh të reja, që asokohe kapte vlerën e 25 eurove. Le të themi se sot, për shkak të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve, kjo biletë ngrihet në dyfishin e saj; 50 euro. Pra me 50 euro arrita të shihja një koncert fantastik, në një performancë elektrizuese prej dy orësh, të një grupi legjendë.

Kjo ka të bëjë me të kaluarën e 16 viteve më parë.

Rrodhën ujërat, çmimet e biletave ndryshuan. Mirëpo çuditë nuk kanë të sosur.

Tanimë po qarkullon rëndshëm lajmi se për të parë premierën e “Big Brother” çmimi fillon me 500 euro, eeeee… kush e di ku e ka fundin.

Ta marrsha të keqen ta marrsha.

Demek, 50 euro me pa Ian Gilan e Ian Peis dhe 500 Euro për të parë Luizin dhe Krisin.

A ia vlen të paguash kaq shumë para?

Pyetja mund të marrë vlerën e një milion dollarëve për të marrë një përgjigje të saktë. Por në fakt përgjigja është badiava fare.

Në marsin e vitit 2007 shqiptarët nuk kishin kaq shumë para nëpër duar. Megjithatë 25 euro ishte fare pak për të parë një legjendë. Sot shqiptarët kanë shumë herë më tepër, e në përpjesëtim dhe u duhet të paguajnë më shumë. Për më tepër kur bëhet fjalë për të parë idhujt e tyre.

Çdo kohë nxjerr idhujt e vet. Çdo njeri ka idhujt e tij.

Sot Luizi është kthyer jo më një fenomen, por në një ikonë. 133 ditët e ngujimit e kthyen atë në xhevahir. Vendi ku ai ka fjetur tanimë do të kthehet në tyrbe. Vend i mirë. Shqiptarët do shkojnë të ndezin qirinj. Do hedhin dhe monedha, sipas zakonit. Do luten e do falen.

Sepse kështu nis epopeja e përjetësisë.

Luizi është kthyer në fenomen. Ai i ka bërë të gjithë bërë vete. Njerëzit kanë shpenzuar duke dërguar me dhjetëra herë sms me emrin e tij për ta mbajtur si lojtar në shtëpi. Por xhepat nuk u janë zbrazur. Tani pritet të japin goditjen e fundit, 500 euro për një natë spektakli.

Aferim u qoftë!

Sepse është premtuar se kjo natë do të jetë magjike. Do të ketë surpriza. Ndoshta dhe fishekzjarre.

Pastaj, kur i ke 500 euro pse të mos i shpenzosh.

Harxhoje paren, mos kurse/ Nuk vlen një kursimtar

Kërce, këndo edhe dëfre/ Se gjo nuk merr në varr.

Me të drejtë në fakt. Se të gjithë e kena prenotu nga një biletë edhe për atje: jo vajtje-ardhje.

Por bileta nuk ka vetëm spektakli i Big-ut. Të shkosh sot e të shohësh një shfaqje teatri, biletën e pret me 3, 5 ose maksimumi 7 euro. Dhe kur çmimi shkon 7 euro, ngrihet sherri. Mirë që u rrit çmimi i bukës po u rrit dhe çmimi i teatrit. Ushqimi shpirtëror. Kësaj i duhet thënë: ndal! Kjo është ngritje e paarsyeshme e çmimeve dhe duhet të reagojë ministria e linjës dhe vetë Këshilli i Ministrave. Po ky është abuzim, tek e fundit.

Po, po… sherri ngrihet për një dymijëlekoshe. Prandaj salla e teatrit nuk mbushet asnjëherë plot. Se çmimi është i shtrenjtë e njerëzit mezi ia dalin.

Se si më duket e gjitha kjo. Mos vallë jemi në ëndërr?