Në takimin me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9, kandidati i PS-së për Trianën, Erion Veliaj tha se ndihet krenar për punët që janë bërë në Tiranë. Nga Bulevardi i Ri, ku u mbajt takimi, kryebashkiaku numëroi investimet e reja që do bëhen në atë hapësirë dhe që do rrisin ndjeshëm vlerën e pronës.

“Këtu do të jetë ndërtesa e re e Bashkisë së Tiranës për 100 vitet e ardhshme. Duke ardhur bashkia, qeveria e Edi Ramës dhe bashkia jonë, jep një sinjal se ne besojmë te ky projekt i Tiranës që rritet në këtë shtyllë kurrizore. Te fillimi i Bulevardit të Ri do të jetë Gjykata e Lartë. Pak më poshtë do të jetë Prokuroria e Përgjithshme. Sapo mbaruam garën, te semafori i tretë do jetë Pallati i ri i Kongreseve. Përballë semaforit të tretë do të jetë Muzeu i Artit Modern. Duke sjellë këtu gjashtë institucione publike, ne i japim besim, i japim shpresë projektit të Bulevardit të Ri. Kemi përcaktuar një hapësirë edhe për xhaminë e re të Bulevardit të Ri. Në fund të Bulevardit do të kemi një shesh të jashtëzakonshëm, ne simetri me sheshin “Nënë Tereza”. Me Rakipin në Kamëz, ku ne do të fitojmë bindshëm, ashtu si në Kavajë, do të ndërtojmë 7 ura sepse pjesa më e madhe e popullsisë së Kamzës vjen dhe punon përditë në Tiranë dhe kthehet çdo natë në Kamëz. Suksesin e kemi të përbashkët dhe Lumin nuk e kemi për të na ndarë, por për të na bashkuar”, tregoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos mendojnë për hallet e atyre të rublave apo hallet e non gratave, që vetëm bllokojnë punët e mira, por të mendojnë për të tashmen dhe të ardhmen e familjeve të tyre.

“Do vazhdojmë mbrapa apo do ecim përpara dhe të kapim kohën e humbur të atyre që vetë nuk bëjnë asnjë punë, por pengojnë këdo tjetër që të bëjnë një punë? Ftesa ime sot, përveçse mirëseardhje për të gjithë ata që na janë bashkuar nga forcat e tjera, është që në këtë javë të fundit të komunikojmë me këdo që ndoshta nuk ka menduar si ne. T’i shohim në sy dhe t’i themi: A është familja jote gjëja më e shtrenjtë? Më e shtrenjtë se gjithë partitë e botës? Nëse familja është gjëja jote më e shtrenjtë, kur ke një çerdhe të mirë për familjen tënde, a ia vlen që ne të vazhdojmë të ecim përpara? Nëse familja jote është partia më e shtrenjtë dhe në familjen tënde ka një kopsht më të mirë si ato që kemi ndërtuar ne, a ja vlen të vazhdojmë të ecim përpara për kopshte të tilla? Nëse sot fëmijët e njësisë 4, 8, 9 shkojnë në shkolla si “Jeronim De Rada” e re, si “Sami Frashëri”, si “Ardian Klosi”, si “Kiço Blushi”, si “Sevasti Qirjazi”, si “Kristo Frashëri”, si “Vaçe Zela”, si “Hasan Vogli”, si “Qazim Turdiu” – nëse këto shkolla e kanë bërë jetën më të mirë për familjen tënde, a nuk je dakord që ne duhet të vazhdojmë përpara me punë të tilla? Nëse shtëpia jote që vlente X para në vitin 2015, sot sipas të gjithë treguesve falë pastërtisë, falë urbanistikës, falë ndriçimit, falë sigurisë sot vlen dy herë apo tre herë më shumë, kjo është një gjë e mirë dhe ky është një motivim që Tirana të vazhdojë të ecë përpara?”, nënvizoi Veliaj.